Përkujtohet 10-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, Berisha shmang pyetjen për rihapjen e hetimeve
Krerët më të lartë të shtetit dhe të Partisë Demokratike kanë përkujtuar dje 10-vjetorin e vrasjes së deputetit të kësaj partie, Azem Hajdari. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe politikanë të tjerë të djathtë kanë bërë homazhe në memorialin e Azem Hajdarit pranë selisë së PD-së. Kryeministri Berisha ka vlerësuar lart veprën dhe kontributin e Azem Hajdarit, ndërkohë që i pyetur nga mediat nëse qeveria do të kërkojë rihapjen e hetimeve për vrasjen e tij, kryeministri nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje. “Në 10-vjetorin e ekzekutimit të tij, në këtë vend, ne nderojmë veprën dhe kujtimin e tribunit të lirisë, të djaloshit, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të prekin lirinë. Në vitin 1990, Azem Hajdari shfaqet me guximin dhe trimërinë e tij në krye të lëvizjes studentore, lëvizjes më emancipuese në historinë tonë kombëtare, lëvizjes që me votën e lirë do të shembte diktaturën më të egër”, - është shprehur Berisha.
Figurën e Azem Hajdarit e ka vlerësuar dje dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo u shpreh se “Azem Hajdari ishte një politikan me aksion dhe intuitë të fortë politike, cilësi të rralla në kohërat e sotme. Edhe pse ai jetoi në ditë sfidash, mundi të përballojë me kurajë dhe besim çdo ngjarje të asaj kohe”. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, vizituan familjen e Azem Hajdarit. Me një vlerësim të lartë dhe emocion të veçantë, presidenti Topi, gjatë bashkëbisedimit me familjarët, kujtoi dhe ndau me ta disa prej momenteve më të vyera dhe të pashlyeshme të punës dhe të miqësisë me Azem Hajdarin, duke theksuar forcën e tij të personalitetit, kurajën dhe besimin te populli dhe e ardhmja demokratike e Shqipërisë.
13 Shtator 2008