E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohet pallati i tragjedisë

Kryebashkiaku Bime: Nuk e jap dorëheqjen 

GJIROKASTER

I jepet fund pallatit famëkeq që shkaktoi 3 viktima dhe la të pastrehë 16 familje. Një mjet i rëndë ka nisur punën, ndërsa përreth, ish-banorët e tij shikonin me dhimbje rrëzimin e asaj pak pasurie që kishin arritur të vinin prej vitesh.
Prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, urdhëroi dje shembjen e pjesës së ngelur nga godina 5-katëshe, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun, që mund të sillte qëndrimi në këmbë i gërmadhës. Në fakt, ishte parashikuar që shembja e ndërtesës që kishte ngelur ende në këmbë, të niste pas dy ditësh pasi të ndërmerrej edhe një studim i terrenit që provokoi rrëshqitjen e dheut. Por, dje shtabi i emergjencës vendosi ndërhyrjen në këtë godinë, e cila rrezikonte në çdo sekondë rrëzimin e saj, duke rrezikuar dhe godinat pranë apo makinat, që qarkullojnë në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Skrepi mbi godinën gjysmake ka filluar punën në orët e para pas mesdite. Në krye të aksionit për prishjen e godinës kanë qenë specialistët e regjimentit të infrastrukturës nga kryeqyteti, të cilët janë të specializuar për këto lloj ndërhyrjesh. Mjeti që përdorej për evadimin e mbetjeve inerte të shkaktuara nga dëmtimi i kateve të pallatit, filloi të shkatërronte me kujdes katet e sipërme të tij. Në fillim, janë hequr depozitat e ujit, të cilat janë hedhur në pjesën e prapme nga lartësia e katit të pestë. Më pas, mjeti i rëndë ka filluar heqjen graduale të mureve dhe blloqeve të betonit duke rënë nga lartësitë sipas kateve. Kur është shkatërruar afro gjysma e pjesës së ngelur nga pallati, specialistët kanë ndaluar për t'i vazhduar ato gjatë ditës së sotme. Fillimisht, anëtarët e familjeve të këtij pallati tentuan të hyjnë për të mbledhur ndonjë send sado të pakët të shpëtuar nga banesat e tyre, por janë larguar për arsye sigurie nga grupi i punës.
Në fillim ishte menduar që ndërhyrja për të shkatërruar objektin pesëkatësh të bëhej me anë të eksplozivit, por specialistët e ardhur nga kryeqyteti, e përjashtuan këtë mundësi pasi mund të shkaktonte panik tek popullata. "Ndërhyrja mekanike është më e sigurt dhe që lejon të punohet në kushte të sigurta, duke shmangur çfarëdo lloj aksidenti të mundshëm", shprehen drejtuesit e operacionit të djeshëm.
Ndërkohë banorët, të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë, kanë kërkuar edhe dje nga shteti të dëmshpërblehen për shkatërrimin e pasurisë së tyre. "Nuk mundet të qëndrojmë si konviktorë, por këtij problemi t'i jepet një herë e mirë rrugëzgjidhje", është shprehur Sokrat Papadhopulli. Nuk ka kompromis veçse dëmshpërblimin deri në një të dëmit që u shkaktua, shprehen njëzëri banorët, të cilët më parë kishin paralajmëruar rrezikun e shembjes së apartamenteve të tyre. Përballë kësaj kërkese, prefekti Spiro Ksera u është përgjigjur se fillimisht do të kryhej vlerësimi i dëmit e më pas do të bëhet kompensimi i tyre. Që nga e diela, pjesa më e madhe e familjeve të dëmtuara janë strehuar tek të afërmit e tyre dhe vetëm 4 prej tyre në hotel, ndonëse nga ana e pushteti vendor ishin garantuar ambientet pritëse.

“Prokuroria e lirë të hetojë”

Kryebashkiaku Bime: Nuk e jap dorëheqjen

GJIROKASTER - Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime, reagoi dje pas kërkesave për dorëheqjen e tij për tragjedinë e shembjes së pallatit. Ai u shpreh se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej, ndërsa ishte i gatshëm të bashkëpunonte dhe të jepte shpjegimet, që i takojnë në organet e drejtësisë. "E moralshme në këtë rast nuk është as të ikësh e as të mbrohesh politikisht duke ndenjur, por të vazhdosh të bësh detyrën e kryebashkiakut, duke dhënë shpjegimet e duhura përveç publikut edhe në organet e drejtësisë", u shpreh kryebashkiaku Bime pas tubimit që organizoi dje në Gjirokastër dega lokale e PD-së, bashkë me dhjetëra nxënës shkollash e simpatizantë të saj. Por duket se deklarata e Bimes ishte nxitur më së tepërmi pas kërkesave nga Tirana, direkt nga salla e parlamentit shqiptar për dorëheqjen e tij. "Unë nuk jam as si ata dhe as si frymëzuesi i tyre Sali Berisha, që momentalisht po fshihet pas tyre, siç fshihet pas imunitetit të tij për t'u mbrojtur nga hetimi i ngjarjeve të rënda ku është i implikuar", pohoi Bime. Me këtë përgjigje duket se kreu i bashkisë i dha fund zërave për t'u dorëhequr nga posti aktual. Dorëheqja e kreut të Bashkisë së Gjirokastrës, krahas PD-së, është kërkuar dje edhe nga dega lokale e LSI-së. Me parulla në duar, dhjetëra banorë, simpatizantë edhe të partive që kërkonin dorëheqjen e Bimes, tubuan heshturazi dje në qendër të qytetit të Gjirokastrës. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›