Mijëra qytetarë në mbështetje të deputetëve
Aristir Lumezi
Mijëra protestues kanë mbështetur dje grevën e urisë së deputetëve. Që në orët e para të ditës së djeshme qindra anëtarë të LSI-së, të forumit rinor të saj, të gruas por dhe qytetarë të Tiranës janë grumbulluar përpara hyrjes kryesore të Parlamentit shqiptar. Grumbulli i mbështetësve është shtuar pas lajmit që Garda e Republikës nuk ka lejuar deputetë Dritan Prifti dhe Jak Ndoka të kthehen në grevën e urisë bashkë me kolegët e tjerë. Por ajo që i ka acaruar më shumë protestuesit ishte ndalimi i autoambulancës, që do t'i vinte në ndihmë dy deputetëve, të cilët kishin treguar shenja luhatjeje me tensionin. Ka qenë kjo skenë kur janë bashkuar me protestuesit edhe deputetë të tjerë, por dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Spartak Ngjela, Luan Memushi, Andrea Stefani, Artur Zheji, kanë qenë mbështetësit e protestuesve në këto momente kur grevistët kërkonin më shumë mbështetje dhe kurajë. Një foltore e improvizuar ka ndihmuar për të ndezur atmosferën. Referuesit kanë dënuar veprimet e Gardës së Republikës, të cilët sipas tyre kanë vepruar me urdhër të kryeministrit Berisha. Gjatë të gjitha fjalimeve, protestuesit që në mesditë ishin disa mijëra shoqëronin me parullat "Jo diktaturës!, Vota është e shenjtë!, Nuk do kalojë!". I vetmi deputet socialist, që mbështeti hapur grevën e urisë së deputetëve ishte Luan Memushi. Ai u shpreh se me Kodin e ri zgjedhor vendi po bën hapa prapa, ndërsa me grevën e urisë për votën e lirë dhe demokracinë e vërtetë të duket vetja se ndodhesh në fillim të viteve '90". Ndërsa avokat Ngjela, duke mbështetur protestuesit tha se ky është një cunam, që do të ketë valë shumë të fuqishme. Zheji e konsideroi kodin zgjedhor një goditje të rëndë ndaj demokracisë dhe përpjekje të dy njerëzve, Rama dhe Berisha për të riinstaluar sistemin totalitar nga i cili vendi u shkëput. Ndërkaq forca të shumta të Policisë së Shtetit ndiqnin me vëmendje këto zhvillime, duke shmangur çdo bllokim të qarkullimit. Por protesta ka vazhduar më e zjarrtë edhe në orët e pasdites. Në të ishte i pranishëm edhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ndërkaq, interesimi i mediave ka qenë shumë i madh. Që prej paradites, disa televizione kanë ndjekur në shumicën e kohës live protestën dhe grumbullimet e qytetarëve në mbështetje deputetëve grevistë të urisë.
“Greva, e drejtë e çdo deputeti”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë e ftohtë në deklaratat e saj për grevën e nisur nga 11 deputetët e LSI, PS91 dhe PDK për të drejtën e votës së lirë. Kryeparlamentarja ka dhënë vetëm një koment të shkurtër për këtë grevë, duke e cilësuar si një të drejtë normale të përfaqësuesve të popullit, pa dhënë komente mbi shkaqet që çuan në këtë vendim ekstrem të deputetëve të LSI dhe PDK. "Kjo është një zgjedhje që deputetët kanë bërë dhe unë respektoj çdo zgjedhje" u shpreh kryeparlamentarja. Këtë koment Topalli e bëri pas prononcimit publik që bëri me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Të 11 deputetët janë futur në grevë urie në sallën ku zhvillohen seancat plenare. Ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nëse Kuvendi do të zhvillojë seancën parlamentare të së enjtes apo jo.
“Problem i brendshëm i opozitës”
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje nga qyteti i Durrësit, lidhur me grevën e deputetëve në kuvend. Sipas tij, qeveria është e detyruar të bashkëpunojë me partinë më të madhe të opozitës, duke shtuar se e njëjta gjë është bërë edhe gjatë kohës, që ai nuk ka qenë në pushtet. "Kryeministri dhe maxhoranca në mënyrë shumë të prerë nuk do të hyjë në probleme të brendshme të opozitës. Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, unë jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë edhe kur unë isha në opozitë", tha Berisha. Sipas tij "unë respektoj mendimin e çdo njeriu, por personalisht negocioj dhe do të negocioj me partinë kryesore të opozitës. Unë nuk ndërhyj në problemet e tyre të brendshme".
“Në grevë nëse do isha deputet”
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tha dje në një prononcim për gazetën "Panorama", se greva e urisë së 11 deputetëve bëhet për të sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë e votës. "Është një reaksion civil ndaj një ligji, që përjashton një pjesë të mirë të elektoratit. Për herë të parë një pjesë e shoqërisë po bëhet realiste për gjëra që vlejnë. Nëse do të nisin negociatat, them se greva e ka arritur një pjesë të misionit të saj. Ne nuk kemi qejf që njerëzit të rrezikohen, por greva bëhet për të sensibilizuar dhe sa më i madh të jetë presioni dhe mbështetja aq më i madh është sensibilizimi". Sipas tij "Ne e kemi mbështetur grevën dhe do vazhdojmë ta mbështesim. Unë po të isha në parlament do isha futur dhe nëse greva vazhdon jashtë parlamentit sigurisht që do e mbështes. Unë e konsideroj pozitive pasi për herë të parë shoqëria proteston ndaj padrejtësisë.