E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti ndalohet nga Garda, hyn pas bisedës me Topallin

 

Shërbimi i Gardës dhe forcat speciale nuk kanë lejuar për orë me radhë deputetin e LSI-së, Dritan Prifti, që të hyjë brenda në sallën ku janë ngujuar deputetët. Edhe pse zëdhënës i grevës së nisur nga 11 deputetët e LSI-së, PDK dhe PS '91, Prifti nuk është lejuar që të ketë kontakte në sallë duke u bllokuar me forcë nga punonjësit e gardës dhe nga njerëz me maska dhe të armatosur. Ata nuk kanë marrë në konsideratë se deputeti i LSI-së, Prifti, nuk duhej të preket pasi ishte me imunitet. Bashkë me Priftin ka qenë dhe deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, i cili po ashtu nuk është lejuar të rifutet në grevën e urisë. Sipas Priftit, prej disa orësh është ndërprerë edhe komunikimi me celular, duke akuzuar Kryeministrin Sali Berisha se e ka dhënë këtë urdhër. "Deputetët që janë në grevë kërkojnë thjesht që njerëzit të votojnë lirisht, por Rama dhe Berisha duan të vendosin për drejtuesit e shtetit", u shpreh Prifti. Deputeti i LSI-së është detyruar që të kontaktojë në telefon me Kryeparlamentaren Topalli dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit për të zgjidhur këtë situatë. Ai shprehet se i ka kujtuar Topallit se moslejimi i deputetëve në sallë do të sillte irritimin e protestuesve. Kjo gjë si duket ka bindur Topallin që ka ndërhyrë për të bërë të mundur që deputeti i LSI-së të ketë të drejtën e hyrjes në sallën e grevës së urisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›