Dosja “Remzi Hoxha”, gjykata refuzon arrestin për Sefgjinin
Autori i Lajmit: Redaksia
Gjykata ka refuzuar të mbajë në arrest shtëpie drejtorin e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë, Arben Sefgjini. Kërkesën e bëri prokuroria, në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas.
Prokurori i çështjes, Xhevat Hana ka kërkuar të merret një masë e re ndalimi për të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Por, trupi gjykues në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku dhe po gjykohet çështja e hodhi poshtë këtë kërkesë të Prokurorisë, duke e arsyetuar atë me korrektësinë e Sefgjinit.
Kërkesa
Prokurori Xhevat Hana kërkoi dje nga trupi gjykues pezullim nga detyra dhe arrest shtëpie për Arben Sefgjinin. Ndërkohë, edhe ndaj të akuzuarit për këtë ngjarje, Avni Koldashit, prokuroria ka kërkuar masën e “arrest shtëpie”. Megjithatë, kërkesa është hedhur poshtë nga trupi gjykues, duke theksuar se Sefgjini është sjellë korrekt me drejtësinë. “Në një moment të tillë procedural nuk mund të bëhet kërkesë për ndryshim të masës së arrestit. I pandehuri Arben Segjini është sjellë korrekt me drejtësinë dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tij nga Shqipëria”, thuhet në vendimin e trupit gjykues. Por Gjykata nuk mori parasysh kërkesën e Prokurorisë dhe e rrëzoi me pretendimin se nuk është momenti i duhur procedural për një kërkesë të tillë, pasi Sefgjini sipas trupit gjykues ka qenë korrekt me drejtësinë. Pas këtij vendimi, Arben Sefgjini, i dyshuar si një prej autorëve në rrëmbimin me pasojë zhdukjen e shtetasit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë, do të vijojë të procedohet në gjendje të lirë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Arben Sefgjini, aktualisht mban postin e drejtorit të strukturës së Shërbimit të Provës nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë.
Seanca
Ndërkaq, në seancën e radhës të zhvilluar dje për çështjen "Hoxha", Gjykata vendosi edhe marrjen në pyetje nëpërmjet letërporosive të disa dëshmitarëve të çështjes, që jetojnë jashtë shtetit. Remzi Hoxha u rrëmbye rreth 15 vjet më parë dhe mendohet se u torturua në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Që prej asaj kohe nuk dihet asgjë për të. Katër ish- punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH) Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe, akuzohen nga prokuroria e Krimeve të Rënda si autorë të rrëmbimit me pasojë zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010