E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqet TVSH në arsimin privat

Autori i Lajmit: Entela DurajHiqet tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për arsimin privat në vendin tonë. Vendimi i diskutuar prej kohësh u mor dje nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Deputetët demokratë miratuan unanimisht ndryshim në ligjin për TVSH-në, duke i dhënë këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje më të madhe financiare. Vendimi hyn në fuqi në vitin tjetër akademik, tetor 2010. Sipas deputetit Florian Mima, ky vendim është pjesë e programit elektoral të Partisë Demokratike, që tani po konkretizohet nga kjo mazhorancë. Heqja e TVSH-së për arsim do të thotë që çdo shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20 % më pak. Në disa prej universiteteve private ky vendim nuk pritet të ndihet, pasi TVSH-ja ishte një barrë për drejtuesit e institucionit dhe nuk reflektohej tek studenti. Sipas dekanes së UET-së, Luljeta Minxhozi, kjo masë do të japë efekte tek pagesat e librave apo kurseve shkollore, të cilat pritet të bëhen edhe më të lira. Në fund të vitit 2009, kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do ti bënte një dhuratë sektorit të arsimit, por ai hasi në kundërshtime të ministrit të Financave, sipas të cilit nuk ishte kohë dhuratash (për heqjen e TVSH-së). Por në fakt ky paralajmërim u konkretizua. Heqja e TVSH-së për arsim privatë është një masë e cila jep ndikim në buxhetin e shtetit. Ndaj një vendim i tillë duket jo shumë i përshtatshëm në këtë vit kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi serioze. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme Komisioni vendosi që ti japë qeverisë kompetenca për të vendosur kufirin për kalimin e bizneseve në biznese të mëdha. Në bazë të projektligjit të ri, bizneset nuk do të bëjnë më çregjistrim. Ndërkohë, ndryshimet në ligjin për TVSH-në, tashmë do ti japin kompetencë qeverisë për të vendosur për kufirin për kalimin e bizneseve në biznese të mëdha. Heqja e TVSH-së së arsimit privat është një premtim që Kryeministri i vendit e kishte bërë që prej gati dy vjetësh. Kjo pas kërkesës së krerëve të këtyre institucioneve arsimore, të cilët taksën e kanë cilësuar si një pengesë në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm. Madje, disa kohë më parë, përfaqësuesit i kanë dërguar edhe një letër zyrtare Kryeministrit për këtë çështje. Berisha në të gjitha deklaratat e tij është shprehur se do të mbështesë fuqishëm arsimin privat në vend. Në tre vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i institucioneve arsimore private për të gjitha ciklet. Vetëm për arsimin e lartë sot kemi të licencuar 33 universitete.

Lehtësimet për privatin

Sipas drejtuesve të unionit më të lartë të rektorëve, heqja e TVSH-së do të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme shpenzimet e arsimit të lartë jopublik. “Arsimi i lartë privat është në moshë të re dhe ka nevoja të ngutshme për investime. Në vendet e tjera evropiane, arsimi i lartë privat nuk paguan TVSH, ndërkohë që edhe kur e bën një gjë të tillë, paguan shifra të papërfillshme”,- ka argumentuar profesor Kaçani gjatë kërkesës për heqjen e TVSH-së. Një tjetër faktor se përse kërkohej me ngulm heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për universitetet private është edhe mospërballimi i shpenzimeve nga këto të fundit. Drejtues të universiteteve, të gjendur përballë vështirësish të shumta financiare, kishin marrë në konsideratë rritjen e mëtejshme të tarifës së studimit për një vit akademik.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›