Rrokaj: “Jemi vonë me doktoraturat te Filologjiku”
Autori i Lajmit: Redaksia
Mosmiratimi i doktoraturave në Fakultetin Histori-Filologji ka penguar zhvillimin e shkollës doktorale edhe në degë të tjera të këtij fakulteti. Dekani i këtij fakulteti Shezai Rrokaj, thotë se ka gati një vit, që miratimi i tyre po stërzgjatet dhe kjo ka penguar zhvillimin e të gjitha doktoraturave në këtë fakultetet, një cikël ky studimesh shumë i kërkuar, kjo dhe nga aplikimet e shumta që janë paraqitur pranë sekretarive të fakultetit. “Jemi në pritje të shkollës doktorale të historisë dhe të gjeografisë të cilat duhet të miratohen sa më parë nga Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit, pastaj të kalojmë në Këshillin e Ministrave. Jemi shumë të vonuar sepse ka kaluar mbi një vit dhe mosmiratimi i këtyre dy shkollave po pengon fillimin e gjithë shhkollës doktorale në faklutet” tha Rrokaj. Ndërkohë, për herë të parë studentët e fakultetit të Histori- Filologjisë do të kenë shansin që për lëndë të veçanta të marrin mësim nga pedagogë të huaj, të njohur në universitetet europiane, të cilët do të jenë me kohë të plotë, ndryshe nga vitet e mëparshme. “Për herë të parë ne po parashikojmë nga fondet e të ardhurave të studentëve miratimin e rreth 20 profesorëve të huaj që do të vijnë të mbajnë lëndë të plota në fakultetin tonë” tha Rrokaj. Dekani Rrokaj thotë se ardhja e këtyre pedagogëve të huaj do të ndikojë në standartet e mësimdhënies, ndërkohë që shprehet se ky do të jetë njëkohësisht dhe një kualifikim për pedagogët shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010