E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen hajdutët e Benz-ave, vjedhjet me facebook

Autori i Lajmit: Redaksia

Preferonin të grabisnin vetëm Benz-a, dhe komunikonin mes tyre me internet. Faqja aq e njohur Facebook dhe e-mailet do të shërbenin për të dhënë e marrë urdhra mes tyre.
Bëhet fjalë për hajdutët, që janë vënë në pranga dje nga policia e kryeqytetit, e cila i ka zbuluar përmes internetit. Si prova, përveç makinave të vjedhura policia ka futur në dosje edhe e-mailet e shkëmbyera mes tyre dhe faqen online facebook.
Operacioni
Përmes operacionit “Heshtja” është vënë në pranga banda e grabitësve të kryeqytetit. Brenda një harku kohor prej gati 4 muajsh të arrestuarit akuzohen se janë autorë të grabitjeve të 7 makinave. Banda ishte vënë në vëzhgim nga policia një muaj më parë dhe në orët e vona të mbrëmjes së 18 janarit është bërë i mundur arrestimi afër Stacionit të Trenit në Tiranë. Policia arrestoi Romeo Lulëzim Rakipit, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i proceduar disa herë për një sërë vjedhjesh në Tiranë, Flamur Riza Matoshi, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar disa herë për vjedhje, 16-vjeçarit me inicialet A.I, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për “moskallëzim krimi”, ndërkohë që u shpall në kërkim policor shtetasi I.I, 26 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. Pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve kryesisht të markës Benz, i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre”
Grabitjet
Policia ka mundur të dokumentojë se të arrestuarit janë autorë të grabitjes së 7 makinave. Konkretisht grabitjet kanë ndodhur
Më datë 17 shtator 2009, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e një automjeti me targa TR 2997 K. Më datë 20 Nëntor 2009, në Vorë, dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim përmes tyre vjedhjen e automjet tip “Benz 240”, ngjyrë gri. Më datë 22 dhjetor 2009, në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C. Më datë 31 dhjetor 2009, në afërsi të Bulevardit “Zogu I-rë”, dyshohet se ne bashkëpunim kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J. Më datë 15 janar 2010, në rrugën e Barrikadave në Tiranë, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 6267 E. Më datë 01 janar 2010, dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin në Unazë të Re, kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 0473 B, në pronësi të një shtetasi. Më datë 06 janar 2010, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim vjedhjen e automjetit me targa TR 4691 R, në pronësi të një shtetasi. Strukturat e hetimit të krimit të komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë së bashku me seksionin përkatës po punojnë intensivisht në drejtim të dokumentimit të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, të realizuar në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan automjetet me targa si më poshtë: automjeti me targë TR5983 J, TR 4691 R, TR 0473 B, TR 6267 E.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›