E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Grossruck Ruani sistemin ndryshoni disa pika

Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, deklaron se sistemi elektoral shqiptar nuk duhet ndryshuar plotësisht. Pas vizitës në zyrën e kryetares së kuvendit, Grossruck shprehet se ka marrë garanci që maxhoranca është e gatshme të negociojë për reformën zgjedhore dhe paketën 10 pikëshe Rama.

“Sistemi elektoral u ndryshua 2-3 vjet më parë. Nuk mendoj se është e nevojshme të ndryshojë tërësisht. Ndoshta ka disa pika që duhen ndryshuar, por mendoj që është një vendim i parlamentit shqiptar dhe i politikanëve shqiptarë për të bërë sistemin e tyre elektoral dhe ligjet e tyre zgjedhore. OSBE/ODIHR bëri rreth 50 rekomandime. Mendoj që ata janë gati të bisedojnë për ato, për të negociuar për to. Kam shpresë që një ditë, ato të konkretizohen sepse është e rëndësishme për zhvillimin e këtij vendi të këndshëm. Diskutuan për paketën dhe me kryeparlamentaren dhe maxhoranca është  gati te negociojë për këto pika”-tha Grossruck.

Në zyrën e kryeparlamentares Jozefina Topalli, Grossruck ishte së bashku me amabasadorin Eugen Wolfarth dhe delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBEsë. Sipas njoftimit të parlamentit, zyrtarët e delegacionit kanë deklaruar se dialogu duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve.

Ndërkohë Jozefina Topalli është shprehur pro ngritjes sa më parë të komisionit të reformës zgjedhore pas një bllokimi 2 vjetor si pasojë e bojkotit të opozitës.

“Një bllokim i ri është edhe mosvotimi i ligjeve të integrimit, që kërkojnë 3/5 e votive të parlamentit”, ka thënë Topalli, e cila ka treguar gatishmërinë për të ndryshuar rregulloren e kuvendit në bazë të asaj të përdorur në Parlamentit Evropian.

Menjëherë më pas, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së takoi kryeministrin Berisha.

Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e martë , 04 tetor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›