E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: 15 vjet burg për Ufon, Ilir Paja

Vendimi
Nuk vërtetohet nëse punonjësit e policisë e kanë paralajmëruar të ndjekurin: “Ndal policia”

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 15 vite heqje lirie “killerin” Ilir Paja, i akuzuar në Shqipëri për vrasje, për shkak të cilësive të veçanta, e mbetur në tentativë, ndaj disa punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kishin shkuar për ta arrestuar. Paja, ose siç njihet në Itali me nofkën “Ufo”, akuzohet se ka tentuar të shtypë me automjetin e tij agjentin e policisë, Bledar H., i cili po e gjurmonte nga pas me një motor. I pandehuri në fillim të gjykimit pranoi të procedohej me gjykim të shkurtuar, por trupi gjykues e hodhi poshtë kërkesën e Pajës, duke vazhduar me proces normal. “Ufo” erdhi për gjykim me disa vepra penale, por ato u reduktuan nga ana e prokurorisë. Për disa akuza të rënda, të cilat janë kryer në shtetin italian, Ilir Paja po gjykohet nga drejtësia e këtij vendi. Ndërkohë, sipas vendimit të djeshëm, gjykata deklaron se nuk ka përcaktuar nëse punonjësit e policisë që kanë shkuar për ta arrestuar e kanë paralajmëruar me fjalët: “Ndal policia”. Ngjarja për të cilën akuzohet Ilir Paja, ka ndodhur më 6 mars të vitit 2008. I akuzuar për vepra të rënda penale të kryera në Gjermani dhe në Itali dhe i njohur për dy arratisjet e tij spektakolare (pas të cilave ka marrë edhe pagëzimin nga policia dhe mediat italiane, UFO), Paja është pikasur nga dy agjentë të operacioneve speciale në një nga rrugët e kryeqytetit. Pasi e kanë ndjekur për njëfarë kohe dhe janë siguruar se bëhej fjalë për të kërkuarin, agjentët specialë kanë vepruar për të kryer prangosjen e tij. Njëri prej agjentëve i ka bllokuar korsinë e lëvizjes Pajës, me motorin me të cilin po lëviznin, ndërsa tjetri i është afruar, duke e lajmëruar se ishin agjentë policie. Me të vënë re praninë e policisë, Paja ka reaguar dhe i ka dhënë makinës indietro me shpejtësi të madhe, duke përplasur agjentin me motor. “Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.H., ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen, duke kaluar trafikndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë motorin dhe agjentin e policisë”, thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë për të pandehurin Paja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›