Prokuroria, gati pushimin e akuzës për gjyqtarin Hasa
Zhduket denoncuesi
Prokuroria e Tiranës pritet të pushojë akuzat ndaj gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, i akuzuar dhe hetuar për marrje ryshfeti. Argumenti i hetuesve të çështjes është se personi që ka denoncuar këtë aferë, është “zhdukur”, ndërsa masa e dënimit për të pandehurin që gjykonte Hasa, ka qenë brenda normave të parashikuara nga Kodi Penal, i akuzuar si shpërndarës i lëndëve narkotike. Ndërkohë, vetë Hasa nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura nga prokuroria. Hetuesit e çështjes thanë se gjyqtari pa imunitet, i pezulluar nga KLD-ja, ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë ryshfet nga të afërmit e të dënuarit, Geron Toska. Ai ka deklaruar se akuzat janë një përbaltje e emrit të tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë që ta çojë deri në fund këtë hetim. Ai ka deklaruar se CD-ja me regjistrime është e montuar dhe kërkonte një ekspertim për zërin dhe bisedën që është regjistruar. Sipas prokurorisë, hetimi për gjyqtarin Qani Hasa, është kryer si për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon asnjë lloj imuniteti. Krahas gjyqtarit të Elbasanit, Hasa, i cili akuzohet për mitëmarrje, hetuesit u përqendruan edhe në zbulimin e personit që i ka servirur gjyqtarit në fjalë para. Ai ka regjistruar një emër të rremë në Prokurorinë e Elbasanit. Por kërkimet e policisë kanë qenë të kota, sepse asnjë person me atë emër nuk është identifikuar. Disa javë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama.
#