Levan Tepelenë, 200 fermerë kërkojnë paratë e tokës
Autostrada
Mbi 200 fermerë të Komunës Cakran në Rrethin e Fierit nuk janë dëmshpërblyer ende për tokat që u prekën nga autostrada Levan-Tepelenë. Edhe pse në forma të ndryshme, deri dhe me protesta, kanë kërkuar dëmshpërblimin, ky i fundit ka vonuar për më shumë se një vit. Përballë një sorollatjeje nëpër zyrat e shtetit, fermerët kanë kërcënuar me bllokim të punimeve në autostradës. Bëhet fjalë për banorët e fshatrave Varibop, Hambar dhe Selitë të Komunës Cakran, rreth 20 kilometra larg qytetit të Fierit. Tokat e tyre, që nga nisja e punimeve të autostradës e në vijim, janë dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme nga firma që po kryen punimet. Fermerët thonë se u është dëmtuar nga autostrada një sipërfaqe e madhe e tokave, por ende nuk kanë marrë ndonjë lek nga shteti. Kryetari i Komunës Cakran, Vladimir Korçari, ka kërkuar ndërhyrjen e prefekturës dhe këshillit të qarkut. Por deri tani asnjë nga këto dy institucione kanë nuk është treguar e gatshme të ndërhyjë. Për këtë arsye, fermerët paralajmëruar protesta që do të shkojnë deri në bllokim të punimeve në autostradë.
#