E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e FBI-së: Sherifi, aktivitet të dyshimtë në Afganistan

Akuza Kërkohet ekstradimi në SHBA. Kosovari: Në Kabul ndihmoja të varfrit

Byroja Federale e Hetimeve, FBI, kërkon urgjentisht ekstradimin e shtetasit kosovar Xhelal Sherifi në SHBA, i arrestuar tri ditë më parë në Aeroportin e Rinasit në Shqipëri. Në një kohë rekord, drejtësia amerikane i ka paraqitur Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare të gjithë dokumentacionin ku 25-vjeçari nga Gjilani dyshohet se ka tentuar të vrasë një shtetas amerikan, në vitin 2001. Kërkesa ka mbërritur fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas në organin qendror të akuzës për t’u depozituar paraditen e djeshme në Prokurorinë e Tiranës. Dy prokurorë kanë verifikuar materialin e FBI-së dhe i kanë paraqitur gjykatës një kërkesë për ekstradimin e tij në SHBA. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip”, se FBI-ja dyshon për një aktivitet të dyshimtë të shtetasit Xhelal Sherifi në Afganistan, megjithëse kërkesa e drejtuar në Shqipëri nuk përmban ndonjë dyshim të tillë, por vetëm fakte rreth ngjarjes së vitit 2001. Megjithatë, përshpejtimi i procedurave ka sjellë edhe dyshimet e hetuesve shqiptarë, të cilët kanë kryer çdo procedurë në mënyrë urgjente.

Dyshimet

Drejtuesit e akuzës së kryeqytetit kanë caktuar dy prokurorë të gatshëm të kryejnë të gjitha procedurat që shtetasi Xhelal Sherifi të përfundojë në SHBA, me një kërkesë të këtyre të fundit. Paraditen e djeshme, grupi hetimor nga Prokuroria e Tiranës ka rimarrë në pyetje 25-vjeçarin nga Gjilani. Prokurori Blerim Tominaj fillimisht i bëri me dije Sherifit të drejtat dhe më pas e ka pyetur nëse dëshironte të ekstradohej në SHBA. Sherifi i është përgjigjur se dëshiron të gjykohet në Shqipëri dhe Kosovë. “Nëse është e mundur, më gjykoni në Shqipëri ose Kosovë, pasi në këto vende kam edhe njerëzit e afërt”, mësohet se ka deklaruar shtetasi kosovar. Nga ana e përfaqësuesve të akuzës, i është bërë me dije se në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1930, Shqipëria është e detyruar ta ekstradojë në SHBA, ndërsa reagimi i Sherifit ka qenë i prerë: “Nëse nuk është e mundur gjykimi im në Shqipëri dhe Kosovë atëherë pranoj të ekstradohem në SHBA”. Përfaqësuesit e akuzës e kanë pyetur 25-vjeçarin për shtetin ku ka lindur dhe vendin ku ka qenë rezident kohët e fundit, ndërsa një vëmendje është përqendruar edhe te lëvizja e Sherifit nga Afganistani në Shqipëri. “Për disa muaj me radhë kam punuar në shtetin e Afganistanit, ku kam ndihmuar të varfrit. Kam qenë me një grup vullnetarësh dhe kryeja një aktivitet të ligjshëm”, ka deklaruar Sherifi, duke u bërë me dije prokurorëve shqiptarë se gjatë qëndrimit në “zonën e luftës” nuk ka kryer asnjë gjë të jashtëligjshme. Ai ka shpjeguar se në SHBA ka qenë i arrestuar për tentativë vrasje dhe është liruar më pas nga një garanci pasurore. Nga ky shtet është larguar rreth vitit 2003 dhe deri në vitin 2010, ai ka lëvizur në disa shtete të botës. “Përgjatë shtatë viteve kam lëvizur në disa shtete dhe nuk kam pasur asnjë problem me pikat e kalimit kufitar. U shtanga në momentin e arrestimit në Rinas”, vijoi 25-vjeçari.

Lëvizja

Prokurorët shqiptarë kanë zbardhur edhe itinerarin e Xhelal Sherifit, para se ai të arrestohej në Rinas. Dy pasaportat e 25-vjeçarit janë sekuestruar nga akuza, ndërsa janë verifikuar vulat dhe vizat. Nga verifikimet ka rezultuar se Sherifi ka qenë rezident për një kohë të gjatë në shtetin e Afganistanit, ku, siç pretendon vetë, ka ndihmuar të varfrit. Ai ka tentuar të largohet nga ky shtet për në drejtim të vendlindjes, Kosovë. Me një avion ka udhëtuar nga Afganistani në drejtim të Vjenës, në Austri. Në këtë shtet ka qëndruar transit disa orë dhe gjatë verifikimeve të pasaportës nuk është ndaluar apo arrestuar. Fill pas kësaj ka lëvizur nga Vjena për në Tiranë dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit është shoqëruar prej personelit të policisë për verifikime. Pasaporta i është bllokuar dhe pas 30 minutash i është komunikuar se ai është person i arrestuar. Hetuesit e akuzës së kryeqytetit mendojnë se verifikimi i hollësishëm i këtij shtetasi është kryer për shkakun se pikënisja e tij ka qenë Afganistani dhe dyshimet për terrorizëm kanë sjellë këqyrjen e plotë të këtij shtetasi. Më pas rezultoi se ai kërkohej në SHBA dhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës iu komunikua urdhërarresti i FBI-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›