Fiksimi për vajzën, merr peng rivalin në dashuri
Marrja peng e një të riu dhe vajzës që e shoqëronte për pak sa nuk është shndërruar në tragjedi dy ditë më parë në qytetin e Kavajës. Policia ka arrestuar dy nga bashkëpunëtorët e grabitësve, ndërsa ka në kërkim dy të tjerë që dyshohet se janë ideatorë të rrëmbimit. Vënia menjëherë në lëvizje e uniformave blu të komisariatit të policisë atje duket se i ka detyruar autorët e dyshuar të pengmarrjes ta përfundojnë hakmarrjen e tyre pa ndonjë viktimë, por vetëm me plagosjen e rëndë të një të riu, identifikuar si Ermal Matraxhiu. Policia ka zbardhur ngjarjen duke deklaruar zyrtarisht se ideatorë dhe realizues të dyshuar të kësaj pengmarrjeje janë vëllezërit Haxhi dhe Marjus Xhihani, përkatësisht 22 dhe 21 vjeç, të shpallur në kërkim, dhe shkak duket se ka qenë xhelozia për një femër. Po sipas policisë së Kavajës, në ndihmë të Xhihanëve kanë shkuar edhe vëllezërit Ervin dhe Halit Kola, të cilët janë vënë në pranga, si bashkëpunëtorë të tyre.
NgjarjaOra shënonte rreth 01:00, kur 21-vjeçari Ermal Matraxhiu kthehej nga jeta e natës në qytetin e Durrësit e në Golem nën shoqërinë e një vajze dhe shokut të tij. Në afërsi të kishës, vëllezërit Xhihani dhe dy shokët e tyre, kanë ndaluar makinën me traga greke, që drejtohej nga një shok i Ermal Matraxhiut, dhe kanë marrë me forcë nga aty këtë të fundit, si dhe vajzën që e shoqëronte. Policia dyshon se personat kanë qenë në ndjekje të Matraxhiut dhe aty kanë shfrytëzuar rastin për të ndaluar mjetin me të cilin udhëtonte ai. Rrëmbyesit i kanë futur djalin dhe vajzën në makinën e tyre dhe i kanë nxjerrë 5-6 kilometër jashtë qytetit në një ullishte. Aty mendohet se kanë ushtruar dhunë ndaj Matraxhiut duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup. Sipas policisë, 21-vjeçari dhe shoqja e tij, janë mbajtur për disa orë në ullishte dhe më pas janë marrë dhe janë dërguar në banesat e tyre. Ermal Matraxhiu është hedhur në oborrin e shtëpisë së tij, në gjendje kritike për jetën, ndërsa vajza çohet në banesën e saj. Po sipas policisë, vajza nuk kishte pësuar dëmtime fizike, asaj i ishin shkulur flokët, por nuk është dhunuar. Dëmtime serioze kishte pësuar 21-vjeçari, pasi mbi të ishte ushtruar dhunë.
HetimetKanë qenë familjarët e Matraxhiut ata që e kanë çuar atë në spitalin e qytetit. I riu ka marrë ndihmën mjekësore, por bluzat e bardha e kanë dërguar atë në spitalin rajonal, pasi kishin konstatuar dëmtime serioze të dyshuara se i ishin shkaktuar nga dhuna fizike. Fillimisht i riu nuk ka dashur t’i tregojë asgjë policisë, por kjo e fundit ka pasur informacion të saktë për atë çka kishte ndodhur dhe kishte zbardhur madje edhe detaje të ngjarjes. Atyre u duhej vetëm denoncimi i të riut. Pas disa orësh Ermali ka vendosur të flasë duke treguar atë që i kishte ndodhur. Ai ka thënë emrat e personave që kanë qenë me të, si dhe situatën në të cilën është rrëmbyer dhe keqtrajtuar. Thëniet e të riut u vërtetuan edhe nga dëshmia e mëpasshme e vajzës, e cila nuk ka ngurruar të thotë tmerrin që kishte parë për disa orë tek keqtrajtohej shoku i saj dhe i bëhej presion i vazhdueshëm të tregonte se deri ku kishin arritur marrëdhëniet mes tyre. Vajza u tregoi hetuesve se asaj i ishin shkulur vazhdimisht flokët, por nuk ishte ushtruar dhunë fizike as seksuale mbi të. Kaq ka mjaftuar që policia t’i kërkonte prokurorit fletën e arrestit për të katër personat e dyshuar të pengmarrjes. Ata kanë shkuar në banesat e personave të dyshuar, por mundën të kapin vetëm vëllezërit Ervin dhe Halit Kola, ndërsa shpallën kërkimin për Haxhi dhe Marjus Xhihanin nën akuzën “se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë hequr në mënyrë të padrejtë lirinë duke përdorur dhunë ndaj 21-vjeçarit Ermal Matraxhi”.
#