E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më 1 korrik do të rriten pagat dhe pensionet”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Po bëhet modë që në media, së bardhës t i thuhet e zezë dhe së zezës e bardhë, por kjo e dëmton më shumë pushtetin e katërt, sepse ia humbet autoritetin”,- tha Berisha duke sulmuar median

Kryeministri Sali Berisha reagon me tone të ashpra ndaj deklaratave të opozitës për moskompensim të familjeve në nevojë dhe rritjes së pensioneve. Gjatë mbledhjes së djeshme ai hodhi poshtë çdo akuzë me premtimin e vetëm subvencionimin një më një ndaj rritjes së çmimeve për shtresat në nevojë. Kreu i Ekzekutivit nuk ngurroi të fajësonte dhe mediat, që, sipas tij, së bashku me opozitën, që prej tri javësh kanë nisur betejën duke vënë nën terror qytetarët. Berisha theksoi se pas 2 muajsh në fshat, por dhe në qytet, do të hyjë në fuqi vendimi për rritjen e pagave. Ai siguroi se do të kompensohen plotësisht çmimet e rritura për pensionistët, për qytetarët që janë në nevojë ekonomike dhe për rrogëtarët, pavarësisht se ku janë në qytete apo në fshat. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratuan një numër rekord vendimesh të Këshillit të Ministrave, 81 gjithsej.
Reagimi
“Në datën 1 korrik do të bëhet rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike në përputhje me rritjen e çmimeve”, - konfirmoi dje Berisha pas deklaratave të opozitës, e cila akuzonte qeverinë për moskompensim të rritjes së çmimeve. Kryeministri e konsideroi këtë si një zotim solemn të Qeverisë ndaj dhe siguroi se do të kompensohen plotësisht çmimet e rritura për pensionistët, për qytetarët që janë në nevojë ekonomike dhe për rrogëtarët, pavarësisht se ku janë në qytete apo në fshat dhe ky, sipas tij, është një vendim i formës së prerë. Në fjalën e tij, Kreu i Qeverisë u shpreh se për qëllime të caktuara, ndaj kësaj kategorie në nevojë po ushtrohet terror i përgjithshëm psikologjik mediatik. “Si mund të kënaqeni duke mashtruar pensionistin, se nuk do të rritet pensioni? Këtë e bëjnë ose ata që i kanë harruar prindërit dhe gjyshërit, ose ata që lahen në vaskë floriri. Të hapësh titujt në media se nuk do të rriten pensionet dhe se nuk do të kompensohet rritja e çmimeve, do të thotë se je një hibrid i shpirtkazmërisë dhe shpirtzisë”, - tha kryeministri Berisha. Ai garantoi se në datën 1 korrik do të ketë një rritje të pagave dhe pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre, pasi qeveria është një qeveri e fjalës së dhënë dhe e premtimit të mbajtur. Sipas tij, të sulmohet qeveria është gjëja më normale, por njerëzit nuk duhet të vihen në terror psikologjik. “Është një fjalë goje të thuash që nuk do të kompensohet rritja e çmimeve për pensionistët, por mos harro se janë më shumë se 500 mijë qytetarë ata që preken nga kjo gjë. Po bëhet modë që në media, së bardhës t i thuhet e zezë dhe së zezës e bardhë, por kjo e dëmton më shumë pushtetin e katërt, sepse ia humbet autoritetin”, - tha Kryeministri, duke theksuar se pushteti i katërt është një pushtet që nuk votohet, ndaj dhe duhet të jetë i kujdesshëm në punën e tij. Duke informuar më tej mbi rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u shpreh se kjo do të mbetet mbledhja rekord e vendimeve që miratohen, pasi ka rreth 81 vendime dhe ligje, ku korpusin kryesor të saj e zënë dorëzimi i pronave te autoritetet vendore, në përputhje me parimin e decentralizimit.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›