E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në garë për të blerë 85% të aksioneve të ARMO-s, 4 kompani

Autori i Lajmit: red.
Katër kompani paraqitën të mërkurën në ora 14.00, ofertat e tyre për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, së bashku me programin e investimeve në këtë kompani. Procedura e pranimit të ofertave u zhvillua në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Konsorciumi amerikan "Rafineri Asociated Anica Texas", një nga 4 kompanitë pjesëmarrëse, ofroi për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, ofertën prej 125 milionë euro, si dhe 240,5 milionë euro
për programin e investimeve në 4 vitet e ardhshme në ARMO.
Blerja e aksioneve
Kompania "Petrofac Energy Development Corp" dha për blerjen e 85% të aksioneve vlerën prej 30 milionë euro, ndërsa për programin e investimeve, vlerën 66 milionë euro. Grupi "Penta Investment Group" ofroi shumën prej 10 milionë euro për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, si dhe 198,4 milionë euro për programin e investimeve. Grupi "Vitol Us Balkan Funds Euroil" ofroi për të blerë 85% të aksioneve të ARMO-s 100 milionë euro. Për shkak të mosardhjes në kohën e duhur, pra në orën 14.00, Komisioni i Vlerësimit, në respektim të plotë të procedurave të privatizimit, nuk pranoi futjen në garë të konsorciumit amerikan "Coyman Resorses". Ofertat e paraqitura nga 4 kompanitë, kanë tejkaluar mbi 2 herë edhe vlerën më optimale të dhënë nga kompania amerikane e konsulencës së privatizimit të ARMO-s, "Pattom Boggs". Por përveç këtij fakti, ofertat e paraqitura dje, kanë tejkaluar dukshëm vlerën e aseteve të ARMO-s, duke i dhënë vetë kompanisë një vlerë tregtare shumë herë më të lartë nga çka përfaqëson. Me këto të dhëna, është e dukshme se vetë proçesi i privatizimit të ndjekur nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së bashku me kompaninë amerikane të konsulencës "Pattom Boggs", është shembull që tregon seriozitet dhe përkushtim në proçesin e privatizimit që u ndoq për ARMO-n.
Vlerësimi i ofertave
Komisioni i Vlerësimit të ofertave me 11 anëtarë, kryesohej nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nertian Alibali, dhe ka në përbërje të tij 2 zëvendësministra nga ministritë e Financave dhe të Drejtësisë, si dhe 2 anëtarë të kompanisë konsulente të privatizimit të "ARMO-s, "Pattom Boggs". Zëvendësministri i METE-s, Alibali, tha se në vlerësimin e ofertave, sipas ligjit, oferta financiare për të blerë 85% të aksioneve zë 75% të pikëve, ndërsa 25% e zë vlerësimi teknik, i cili do të bëhet në ditët në vijim. Alibali theksoi se klasifikimi i ofertës së bashku me vlerësimin teknik do të jenë dhe klasifikimi i përgjithshëm për fituesin e blerjes së 85% të aksioneve të ARMO-s. Komisioni i vlerësimit të ofertave në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po vazhdon punën për të shqyrtuar dokumentacionin që paraqitën të mërkurën 4 kompanitë pjesëmarrëse në tenderin e hapur për të blerë 85% të aksioneve të ARMO-s.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›