E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekorohet nga Urdhri i Maltës

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndodhet për një vizitë në Urdhrin Sovran Ushtarak Bamirës Fetar të Shën Gjonit të Jeruzalemit, të Rodit dhe të Maltës. I quajtur shkurtimisht Urdhri i Maltës. Ky Urdhër, i krijuar në shekullin XI, është një organizatë katolike sovrane, selia e së cilës në Romë gëzon një status ekstraterritorialiteti. Kjo e bën Urdhrin e Maltës të vetmen strukturë qeveritare në botë me vokacion humanitar, të pranuar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare publike, njësoj si një shtet. Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit, Fra Methju Festing, e dekoroi dje presidentin Topi me Shiritin e Urdhrit të Meritës Malteze. Kurse zonja e parë, Teuta Topi, u dekorua me Kryqin e Madh Maltez. Para dekorimit presidenti Topi zhvilloi një takim pune me Princin dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Fra Methju Festing, i cili theksoi gatishmërinë dhe vullnetin e Urdhrit Sovran të Maltës për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se në takimin me z. Festing, Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale, duke vënë në dukje se zhvillimi i mëtejshëm i tyre, së bashku me ndihmesën dhe përkrahjen e përpjekjeve integruese të Shqipërisë, do të mundësonin edhe kurorëzimin me sukses të aspiratave të popullit tonë për t u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Topi shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të Urdhrit Sovran të Maltës dhënë vendit tonë nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme si shëndetësi, arsim, asistenca sociale për shtresat në nevojë, në atë të mbrojtjes dhe rendit dhe bashkëpunimit me autoritetet shqiptare si me Projektin e Maleve, me ndihmesën për përmbytjen në Lezhë në 2002, me bashkësinë rome, etj, si edhe punën humanitare të Urdhrit Sovran të Maltës në Kosovë gjatë konfliktit dhe më pas. Gjatë takimit u diskutua rreth zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve nëpërmjet nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, si edhe mbi mundësinë e ndërtimit të një spitali në Shqipëri. Lartësia e tij, Fra Methju Festing, theksoi gatishmërinë dhe vullnetin e Urdhrit Sovran të Maltës për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues si dhe vlerësoi reformat dhe ndryshimet pozitive në Shqipëri, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm dhe moderator të vendit tonë dhe faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.

Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›