E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shfuqizon vendimin e “Qeverisë Meta” për trojet në bregdet

Autori i Lajmit: red.
Këshilli i Ministrave shfuqizoi sot vendimin “Për regjistrimin e sipërfaqeve të trojeve, ku janë kryer investime për ndërtim objektesh, në pronësi të shoqërive huamarrëse”, vendim nr.111, i datës 8.3.2001. Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha tha se me këtë vendim ish-Kryeministri Ilir Meta u dorëzoi firmave rentiere si pronësi një tokë që ato nuk e kishin kurrë në pronësi. Ky vendim, theksoi Kryeministri, u bë për qëllime përfitimi personal, duke u dhënë pjesët më të bukura të bregut firmave rentiere dhe për t jua marrë me klanin e tij. Kryeministri e konsideroi vendimin e vitit 2001 të karakterit arbitrar, i marrë jashtë kompetencave ligjore të Këshillit të Ministrave, për të urdhëruar regjistrimin në pronësi të shoqërive huamarrëse të sipërfaqeve të trojeve në pronësi të shtetit. Vendimi është një veprim i paligjshëm, pasi regjistrimi duhet të vinte si rezultat i një veprimi juridik kalimi pronësie nga shteti tek pronari privat. Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë vendime regjistrimi të një prone të caktuar. Këshilli i Ministrave si pronar i pronës shtet kryen veprime me pronën shtet, por regjistrimi i saj është subjekt i sistemit të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili funksionon mbi bazën e ligjit të regjistrimit. Kryeministri Berisha i kërkon Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit krijimin e njësisë speciale të ndërhyrjes së shpejtë për mbrojtjen e territorit. Gjate mbledhjes se sotme te qeverise, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit , që të sjellë sa më parë projektvendimin për krijimin e një njësie speciale të ndërhyrjes së shpejtë për mbrojtjen e territorit. Kjo njësi do të ketë si qëllim të mbrojë territorin nga ndërtimet e paligjshme dhe nga abuzimet me trojet.

Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›