E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dosja e Hipotekave të zbardhet para zgjedhjeve

22/02/2005  Opozita, akuza Kryeministrit për falsifikime në Hipotekë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dje në mbledhjen e Grupit parlamentar ngritjen e një komisioni hetimor për korrupsionin dhe falsifikimet në Hipotekë. Lideri demokrat, Berisha, tha se disponon dokumente, të cilat flasin për falsifikime të mëdha të bëra nga Kryeministri dhe klani i tij. "Do të ngrihet Komision hetimor për Hipotekën. Fatos Nano me klanin e tij ka bërë batërdinë në hipotekë dhe ne disponojmë dokumente tronditëse", tha Berisha. Lideri demokrat e sheh të nevojshme që dosja e hipotekës të zbardhet përpara zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme. "Dosja e hipotekës duhet të zbardhet para largimit të tyre nga pushteti. Nuk duhet ta bëjë qeveria e ardhshme duhet ta bëjë ky parlament. Kjo çështje është shumë e rëndësishme", theksoi Berisha. Çështja e hipotekave u diskutua një ditë më parë nga demokratët dhe në tryezën e organizuar nga Komiteti i Orientimit të Politikave, ku u prezantua strategjia për reformën fiskale. Genc Ruli, drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, tha se falsifikimet e bëra në Hipotekë do të krijonin amulli në vendosjen e taksave nga qeveria e PD-së, në rast se fiton zgjedhjet. Reforma në hipoteka dhe evidentimi i të gjithë shkeljeve të bëra atje, ka qenë dhe pjesë e strategjisë së KOP, në pjesën ku flitet për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas specialistëve, në rast se nuk korrigjohen falsifikimet e bëra në hipotekë, atëherë nuk do të mund të kryhet kurrë një proces i rregullt i kthimit në masën 100 për qind të pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›