E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano sulm Berishës dhe anëtarit të Komitetit të Orientimit të Politikave

22/02/2005  Ju e dini se si t'i përgjigjeni marrëzisë që premton: edhe heqje taksash, edhe shtim prej 1 miliard eurosh të të ardhurave të shtetit"

Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i ka cilësuar brroçkulla deklaratat e kreut të PD-së, Sali Berisha, për uljen e taksave dhe shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit me një miliard lekë. Gjatë një takimi me biznesmenët e Fierit, Nano tha: "Ju jeni vetë njerëz të biznesit dhe e dini shumë më mirë sesa unë se si t'i përgjigjeni marrëzisë që premton: edhe heqje taksash, edhe shtim prej 1 miliard eurosh të të ardhurave të shtetit; edhe shkurtime ministrish apo në institucione te tjera, edhe rritje të punësimit. Si mund t'i besohet një njeriu që këtej premton reforma, këtej deklaron se do të heqë nga puna ata që pengojnë reformat". Ai shtoi se shqiptarët e mbajnë mend se me këtë sllogan para dymbëdhjete vjetësh ai shkatërroi administratën publike, e cila mbrohet sot me ligj të posaçëm, me të famshmin ligj 24/1, që fliste pikërisht për "reformë". "Kini kujdes nga të marrët, që mund të përhapin ndonjë sëmundje apo epidemi kolektive, sepse hallexhinj apo të inatosur ka. Sëmundja që vjen nga një njeri i stërnjohur që një ministri, një presidencë, një kryeministri dhe të gjitha të kenë të njëjtin emër, sepse vetëm një njeri flet se ministria duhet të jetë kështu, kryeministria kështu, presidenca duhet të jetë kështu, administrata kështu dhe të gjitha nën një komandë, me të njëjtin emër", tha Nano, duke sulmuar Berishën. Duke shkuar më tej, ai tha se "ky i marrë i shan të gjithë, që t'i zhdukë të gjithë dhe të gjitha; të gjithë këtë skemë ku ka aktorë dhe përgjegjësi që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe prandaj ka partneritet. Përndryshe do kthehet shteti dhe sipërmarrja në piramidë financiare, do rindizet sherri Veri-Jug dhe do kthehen në politikë shtetërore gjobat, sekuestrimet e pronës private dhe iniciativës së lirë, marrja në punë ose nxjerrja nga puna me letra partiake". Nga ana tjetër, Nano nuk ka ngurruar që të sulmojë dhe përfaaqësuesit e LSI-së dhe të KOP-it të PD-së, që së fundi kanë dhënë strategji të ndryshme për zhvillimin e vendit. Janë disa që "nuk e kanë haberin fare për këto potenciale zhvillimi dhe vijnë papritmas nga jashtë shtetit, nga Harvardi apo nga Kosova dhe lëshojnë paketa, politika, broçkulla në publik, që trëmbin jo më kalamajt si shefi i tyre, por ka rrezik të na trembin edhe organizatat ndërkombetare dhe gjithçka përfaqëson partneritet për zhvillim global të Shqipërisë së re". Duke kërkuar mbështetjen e elektoratit Nano ka shtuar "me këtë koncept më lejoni të jem transparent, ne do të vijmë edhe në zgjedhjet që janë në prag. Do keni kandidatë, njerëz që i njihni, që i zgjidhni, sepse punoni me ta dhe keni besim te partneriteti me ta". Modeli tjetër, sipas Nanos, është ky që punohet me FMN, me BE, me BB, me 17 banka private që punojnë në Shqipëri, me 72 NGO që punojnë për zhvillim me ekspertë dhe ekspertizë të krijuar për 14 vjet zhvillim, nga e cila, me sa duket, një pjesë e politikës apo edhe e sipërmarrjes shqiptare ka 8 vjet që ka humbur kontaktin, ka 8 vjet që ka humbur haberin, ka 8 vjet që ka humbur ritmin, kanë humbur haberin e zhvillimit, nuk duan apo nuk kanë aftësi ta marrin informacionin e zhvillimit, nuk kanë aftësi për partneritet me ju dhe me aktorët e tjerë globalë, që nxisin Shqipërinë për zhvillim dhe integrim global.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›