E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e SHIK-ut për Mihal Delijorgjin

Një nga emrat më të përfolur të këtyre ditëve, i quajtur ndryshe biznesmeni që "mbolli" tragjedinë e Gërdecit, në bashkëpunim me shtetin, Mihal Delijorgji, ka qenë nën vëzhgim nga Shërbimi Informativ Kombëtar në vitet ‘90. Ai dyshohej se në bashkëpunim me ish-shefin e SHIU-t, një inxhinier lokacioni, ka ndërmjetësuar për shitjen në një firmë izraelite të raketave të krahut Stinger Hand-held SAM, patentë amerikane, të blera në Pakistan pas vizitës së realizuar nga gjeneral A.Baruti në vitin 1996 në këtë vend.

Njeriu që siguroi monopolin në importin e hekurit në vend, pas vrasjes së pazbardhur të biznesmenit Florian Vila, pas vitit 1990 nisi të ndërtonte një të ardhme të ndritur, plot para dhe sukses. Padyshim ngjitja e shpejtë, bizneset, do t‘i siguronin edhe kthesat e forta në jetë. Babai i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, i lindur në fshatin Terihat të Dropullit të Poshtëm, u martua me një vajzë shijakase për të vendosur përfundimisht edhe lidhjet me qytetet e metropolit shqiptar, që do t‘i siguronin ambientin dhe lidhjet e nevojshme për një biznes të suksesshëm dhe mbështetjen e duhur për të vazhduar përpara me çdo çmim.

E shoqja ka punuar për disa kohë në shërbimin doganor, në sektorë të ndryshëm të tij. Ndërkohë lidhjet me Durrësin i ka më të hershme. Mihal Delijorgji, pasi mbaroi arsimin e detyrueshëm në fshatin e lindjes, u zhvendos në Shkozet të Durrësit për të vijuar mësimet e mesme në shkollën 2-vjeçare të Rezervave të Punës, në specialitetin ekskavatorist-buldozerist. Më pas kreu shërbimin ushtarak dhe fundi i vitit 1990 do ta gjente në Greqi, për të kërkuar ndryshimin e shumëpritur, si mijëra të rinj shqiptarë, që përfituan nga situata e krijuar në fillim të viteve ‘90.

Në dosjet e Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe kanë qenë dokumentuar shumë fakte në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e Mihal Delijorgjit, i cili sipas një ish-oficeri të këtij shërbimi, ndiqej për shkak të lëvizjeve të shpeshta në Greqi dhe marrëdhënieve të vendosura atje.

Në fund të dhjetorit 1990, ai largohet nga vendi nëpërmjet sektorit kufitar që mbulohej nga posta e Çalistrës. Në Greqi bëri punë të ndryshme, por edhe një kurs kualifikimi për filozofi greke, pranë një instituti privat në Athinë.

Intuita e tregtarit, por edhe ndonjë arsye tjetër e padeklaruar, e kthen përfundimisht në Shqipëri pas afro dy vjetësh qëndrimi në shtetin fqinj. Shumë shpejt filloi të merrej me tregtinë e artikujve ushqimorë dhe materialeve të ndërtimit, kryesisht hekurit. Materiale këto, të importuara nga Greqia dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, nëpërmjet firmave qipriote nga Limasoli dhe Lanarkia.

Pjesa e dytë e vitit 1996, sipas burimit të gazetës, do ta gjente me një intensitet lëvizjesh mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë që do t‘i përmendet emri nga doganierët e arrestuar të Kakavijës, po në këtë vit. Të vënë në pranga për favorizim dhe shpërdorim të detyrës, doganierët do të përdornin si shembull Delijorgjin dhe kamionët që kalonin traun doganor për llogari të tij pa shlyer detyrimet.

Sipas burimit, njohjet personale me deputetë të vitit 1997, si Arbër Qilimi, Gramoz Ruçi dhe Kristo Goxhi, ishin fiksuar tashmë nga ata që e survejonin në largësi. Fillimi i vitit të trazuar 1997 do të shoqërohej me nxjerrjen e një urdhri për mbajtjen nën kontroll të hyrje-daljeve të Delijorgjit nga degët e SHIK-ut në Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër. Pak kohë më pas, një kopje e këtij urdhri do të binte në dorën e një ish-ushtaraku të lartë në lirim, i cili do ta përdorte me kujdes, për të kapur një detyrë të rëndësishme në administratën tatimore të Gjirokastrës.

Vitet do të ndryshonin rrugën e import-eksporteve të Delijorgjit, që do të përzgjidhte transportin detar të hekurit. Me firmën e ministrit Ylli Bufi, në mars të vitit 1999, ashtu si dhe depozitat e karburanteve në Portin Detar të Durrësit, siguron me emfiteozë ambientet e NSHRAK-ut në Shkozet, ku vendos aktivitetin e firmës së tij "Përparimi sh.a.".

Janë rreth 15 mijë metra katrorë tokë, që i janë dhënë shoqërisë "Përparimi sh.a." kundrejt një qiraje simbolike për të ushtruar aktivitetin. Këtu ngriti fabrikën e tij, për prodhim të skarave, rrjetave metalike, llamarinave etj.

Dyshohet se ka llogari bankare përveçse në Shqipëri, Greqi dhe Qipro, edhe në banka të tipit "offshore" (banka jashtë vendit të depozituesit, që sigurojnë nivel të ulët taksash dhe ofrojnë favore financiare dhe ligjore, që sigurojnë veçanërisht sekretin bankar për identitetin e depozituesit). Dyshohet se Delijorgji ka bërë pagesa me "swift" dhe letra të parevokueshme krediti të realizuara nga banka qipriote, në ishullin Nauru në Oqeanin Paqësor. Në vitin 2000, vendet e G7-ës bënë presion ndaj Republikës së Naurusë për të rishikuar sistemin e saj bankar, i cili ishte përdorur për pastrim parash nga kriminelë rusë.

Pas vrasjes së biznesmenit Florian Vila, Mihal Delijorgji dhe firma e tij u bënë importuesit më të mëdhenj të hekurit për ndërtim në vend, duke kontrolluar pothuajse të gjithë tregun. Ai u fut në tenderë të ndryshëm dhe humbi atë të anijeve për skrap, në Portin Detar të Durrësit, si dhe tenderin e skrapit hekurudhor. Por arriti të fitojë një tjetër tender të rëndësishëm, që e futi në lojën e madhe të fitimit dhe që çoi deri në katastrofën e 15 marsit të këtij viti.

Në shkurt të vitit 2004, Mihal Delijorgji fitoi tenderin në Ministrinë e Mbrojtjes, për shkrirjen e të gjitha autoblindave, tankeve e mjeteve të tjera të ushtrisë, në fabrikën e tij për skrap. Në tetor të vitit 2002, ai u bë sponsori kryesor i klubit të futbollit "Dinamo", një strukturë e Ministrisë së atëhershme të Rendit Publik.

Siguroi për skrap tanket që nga depot e Arshi Lengos në Gjirokastër, deri në atë të batalionit tankist të Cërnicës në Tropojë. Çmimi i fituar në tender i skrapit nga mjetet luftarake ishte rreth 2,4 herë më i ulët se ai që u dha në tenderin e mjeteve lundruese. Rreth dy muaj më vonë do të arrestohej për evazion fiskal dhe një sërë veprash penale.

Më 25 prill të vitit 2004 u arrestua nga agjentët e antikrimit të Policisë së Durrësit, për kontrabandë dhe falsifikim të dokumenteve shoqëruese të hekurit të importuar. Evazioni fiskal i shkaktuar shtetit nga aktiviteti i tij u vlerësua një milion dollarë. Arrestimi u krye pas kallëzimit penal të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për firmën e tij "Përparimi sh.a." dhe u bë në dalje të stadiumit "Qemal Stafa", ndërsa ishte në pritje të fillimit të një ndeshjeje futbolli mes Dinamos dhe Partizanit, i shoqëruar nga Albert Xhani dhe Koço Kokëdhima.

Specialistët vlerësuan se kishte përdorur metodën e njohur me emrin "triangolacion" (trekëndëshi). Në ngritjen dhe dokumentimin e akuzave Departamenti i Hetimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, u ndihmua nga informacionet e dhëna nga CAMAlbania. Pesha e parasë, së cilës kishte dashur t‘i shmangej paraprakisht, e nxori Delijorgjin nga qelitë, me një garanci pasurore që katër vjet më parë u konsiderua si marramendëse. Tani që publikisht deklarohen shifrat e siguruara nga kontratat dhe bizneset e Delijorgjit, kuptohet se 1,2 milionë dollarët ishin veç një pjesë e vogël e asaj që ishte në lojë.

Transfertat

Sistemi bankar i ishullit-shtet më të vogël në botë, "lau" paratë e mafies ruse

Republika e Naurusë, vendi që mban paratë e "bosit" të armëve

Fakti që është shteti-ishull më i vogël në botë - vetëm 21 km² - që është më e vogla ndër republikat e pavarura, që ka popullsinë më të vogël mes anëtarëve të OKB-së dhe që është i vetmi vend në botë pa kryeqytet, nuk e ndaloi aspak të kthehej në një prej parajsave më të lakmuara financiare për të gjithë ata që kërkojnë të lajnë para.

Megjithëse një prej pikave më të paprekshme të planetit, Republika e Naurusë, në fund të viteve nëntëdhjetë fitoi famën e armikut publik numër një në qarqet financiare perëndimore. G7-ta, ka në Paris një njësi speciale, e cila dallon dhe përpiqet të bëjë të padëmshme një duzinë shtetesh (nga Filipinet në Ishujt Kuk) që ofrojnë shërbimin e pastrimit të parave. Që nga viti 1990 deri në 2000, Nauruja zuri vendin e parë në listën e saj.

Për të kuptuar se çfarë përmasash kishte kjo industri në ato vite, mjafton t‘iu referohemi fjalëve të Viktor Melnikovit, drejtorit të Bankës Qendrore Ruse, sipas të cilit vetëm në vitin 1998, kriminelët rusë kishin mundur të pastronin aty më shumë se 70 miliardë dollarë.

Si rezultat, shteti mikroskopik u përball me sanksione nga më të rëndat, të krahasueshme me ato që i janë vënë Irakut apo ish-Jugosllavisë. Nën të tilla presione, Presidenti i vendit, i cili është njëherësh edhe Kryeministër, bashkë me Parlamentin e përbërë prej 18 anëtarësh, miratuan një ligj, që nxirrte jashtë vendit çdo dollar të dyshimtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›