Humbën djalin nga predha, kërkojnë dëmshpërblim
Familja e Nikollë Marashit, e cila në muajin janar humbi djalin 13-vjeçar nga shpërthimi i një predhe në një territor ushtarak të braktisur, kërkon dëmshpërblim nga shteti. Pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës, ku shteti po dëmshpërblen në të holla dëmet materiale dhe humbjet në njerëz të shkaktuara nga shpërthimi i depove të municioneve, familja nga fshati Bardhaj i Shkodrës kërkon të trajtohet njësoj. Duke folur për gazetën "Shqip", Nikollë Marashi, babai i viktimës Daniel Marashi, thotë: "Jetojmë në një zonë që është plotësisht e mbushur me predha e municione nga më të ndryshmet, pasi këtu ka qenë zonë ushtarake dhe aktualisht është e braktisur. Duke qenë edhe të varfër, djali im 13 vjeç, sapo mbaronte shkollën dilte për të mbledhur copa hekuri për t‘i shitur. Atë ditë, Danieli doli nga shtëpia e nuk u kthye më, pasi në kohën që po mblidhte hekur, një predhë e aktivizuar i ka plasur duke i marrë jetën. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi dikush, pasi nuk duhet të lihen predhat dhe eksplozivi të shpërndara në terren. Ajo që u ndodhi atyre familjeve në fshatin Gërdec, që gjej rasti t‘i ngushëlloj, i ndodhi edhe familjes sime, pasi humba fëmijën. Ato viktima në Gërdec u shkaktuan nga predhat dhe baruti i ushtrisë shqiptare. Edhe djali im, Danieli, vdiq nga predhat e ushtrisë, të lëna pa kujdes fare pranë shtëpive tona. Në këto kushte, kur faji është i shtetit që lë zona të minuara, i kërkoj Kryeministrit të ndihmojë familjen time, ashtu siç po ndihmohen familjet e fshatit Gërdec, pasi jetoj në kushte mjaft të vështira. Nuk jemi asnjëri në punë. Jetojmë vetëm me ndihmë sociale".
Nga ana tjetër, edhe nëna e Danielit të vdekur më 21 janar, u bën thirrje të gjitha strukturave shtetërore të marrin masa për dëmshpërblimin e familjes. Ajo kërkon gjithashtu që të merren masa për të pastruar zonën. Rreziku dhe drama vazhdon në fshatin Bardhaj, fare pranë një territori ushtarak thuajse të minuar e të pa mbrojtur. Fëmijët e zonës, sapo mbarojnë mësimin i turren fushës për të mbledhur copa predhash e granatash, që i shesin më pas për skrap me një çmim prej 200 lekësh për kilogram. Këtë e bëjnë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra. Të rriturit e zonës i bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë, për të hequr mbetjet luftarake, ndërsa fëmijët, megjithëse e dinë që rrezikojnë jetën, vazhdojnë të luftojnë me rrezikun në emër të mbijetesës.