Maqedonia, njeh sot pavarësinë e Kosovës
Maqedonia mund ta njohë të shtunën pavarësinë e Kosovës. Lajmi është publikuar në mediat maqedonase, të cilat u janë referuar burimeve të tyre pranë qeverisë së Gruevskit. Burime të sigurta brenda qeverisë "Gruevski", nën kushte anonimiteti, kanë deklaruar se vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës - shtet të pavarur e sovran - do të merret gjatë fundjavës. Edhe burime pranë qeverisë së Kosovës thanë për "Shqip" se lajmi se Maqedonia mund ta njohë pavarësinë këtë fundjavë, ka mundësi që të jetë i vërtetë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dy ditë më parë, deklaroi se Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pasi ajo ka miratuar paketën e Ahtisarit. Kryeministri u shpreh i sigurt në lidhje me qëndrimin e Maqedonisë për sa i përket pavarësisë edhe pas takimeve me krerët e partive politike shqiptare, si atë të BDI-së, BDSH-së, etj. Bllokuesi kryesor i vendimit të qeverisë së Gruevskit sipas informacioneve jozyrtare është Presidenti i vendit, i cili është mjaft i influencuar nga Serbia. Nga ana tjetër, presioni mbi qeverinë e Gruevskit është shtuar së tepërmi pas vendimit të PDSH-së, për të dalë nga koalicioni nëse qeveria nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe disa kërkesa të tjera. Gjithçka filloi kur Menduh Thaçi deklaroi se Maqedonia do ta njihte pavarësinë e Kosovës kur të donte ai. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e fortë të partive politike shqiptare në Maqedoni, të cilat e akuzuan Thaçin se ai po bëhej pengesë për këtë proces. Por me një lëvizje të shpejtë, Menduh Thaci bëri përpjekje që të ngrejë reputacionin e partisë së tij, duke e vënë qeverinë e Gruevskit në një pozicion shumë të vështirë. Ai renditi gjashtë kërkesa të rëndësishme për shqiptarët si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, simbolet kombëtare në zonat ku jetojnë shqiptarë, ligji për UÇK-në etj. Por Menduh Thaçi ka acaruar raportet edhe me Kryeministrin e Kosovës. Ky i fundit nuk ia përmendi emrin publikisht në një deklaratë, ndërsa fliste për faktorin shqiptar në Maqedoni. Kjo e ka zemëruar pa masë Menduh Thaçin, i cili ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke kritikuar Kryeministrin që kish anashkaluar partinë e cila bën pjesë në qeveri. Raportet u acaruan më shumë, pasi Menduh Thaçi nuk iu përgjigj ftesës së institucioneve të Kosovës për të zhvilluar një vizitë në Prishtinë. Rivaliteti mes partive shqiptare në Maqedoni ka filluar të shfaqet edhe në Kosovë. Ndonëse që të gjitha pa përjashtim angazhohen në përkrahje të saj dhe thonë se Maqedonia duhet ta njohë sa më shpejt. Lideri i BDI-së, në një deklaratë për shtyp, ngriti akuzën se për shkak të PDSH-së, Maqedonia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës bashkë me shtetet e tjera të rajonit, Kroacinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit me Ahmetin, tha se presim që këto ditë në rrjedhë normale të proceseve në Maqedoni, do të bëhet njohja e pavarësisë së Kosovës, siç e kanë bërë edhe vendet e tjera të rajonit. Njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Maqedonisë është shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi do të forconte pozitën e saj në rajon. Më pas do të mbetej vetëm Republika e Malit të Zi nga harta e ish-Jugosllavisë, që do t‘i duhej të njihte pavarësinë dhe Serbia do të ndihej e rrethuar. Të mërkurën, tre shtete të rëndësishme për rajonin, Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria e njohën pavarësinë e Kosovës, duke çuar numrin e shteteve në 33.