E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Gjendja është e rëndë,populli të ngrihet në protestë

 

Deputeti i pavarur Spartak Ngjela e konsideron të rëndë futjen në grevë urie të 11 deputetëve të parlamentit për të protestuar për miratimin e kodit të ri zgjedhor. Megjithëse, nuk është bërë pjesë e grevës, ish-deputeti demokrat së bashku me Gilman Bakallin, kanë qenë dje paradite të pranishëm në protestën e organizuar para kuvendit nga simpatizantë të LSI-së e PDK-së. Në një prononcim për mediat Ngjela tha se "Gjendja është e rëndë. Shqipëria vazhdon inercinë e regjimit të vjetër, që urren votën e lirë. Ka krizë të qarkullimit të elitave, janë uzurpatorë. Por, një deputet në grevë nuk është pak. Tani varet se çdo të bëjë populli. Njerëzit duhet të vijnë, ata që ndjejnë uri, ata që nuk kanë rroba, ata që nuk kanë punë duhet t'i përgjigjen këtij problemi, sepse nuk qarkullojnë elitat, ata kështu do të mbeten". I pyetur nëse mund të ketë negociata mes deputetëve grevistë dhe dy partive të mëdha, Ngjela tha se nuk mund të bësh negociata me barbarinë. Sipas tij, kjo është një luftë kundër barbarisë. "Kjo zgjidhet vetëm me forcë. Njerëzit duhet të tregojnë masivitet dhe të kenë mbështetje të madhe. Ai që e ndjen se është i pakënaqur nga qeverisja, nga gjendja aktuale në vendin e tij, duhet të bashkohet në këtë shesh. Të kalohet dhe të bëhet 100 herë më i madh se sa është. Rrugë tjetër dhe zgjidhje tjetër nuk ka. Ka për të qenë një uragan i vërtetë, keni për ta parë", theksoi më tej Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›