E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna e Kukurit, hap dyert

03/04/2005  Vazhdon hetimi, amerikanët të mirëpritur në Gramsh

Kryetari i komunës së Kukurit, Luan Bega, ka treguar dje, për gazetën “Metropol”, se tashmë nuk ka shumë lëvizje dhe se trupat ushtarake janë të vendosura në fshatin e largët të Rovjes. Më shumë se 100 ushtarë janë mbajtur me ushqim nga vetë ai, duke iu dërguar çdo vakt një sasi të konsiderueshme ushqimesh. Sipas tij, familjet e Rovjes nuk kanë mundësi të ndihmojnë ushtrinë shqiptare dhe largësia nga qyteti i Gramshit së bashku me terrenin e thyer, e bëjnë të vështirë furnizimin e tyre me ushqim

GRAMSH - Tashmë në fshatin Rovje është rikthyer deri-diku qetësia. Atje kanë mbetur një numër i kufizuar ushtarësh, ndërsa ekspertë amerikanë të ushtrisë kanë marrë në dorëzim të gjithë zonën, ku është rrëzuar avioni transportues Herkules C130, duke vazhduar procedurat nën një rrethim të rreptë, pa lejuar as banorët të afrohen në pjesën ku janë edhe mbetjet e avionit. Ndërsa banorët e komunës kanë treguar solidaritetin e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë. Gati 100 ushtarë po mbahen me ushqime nga banorët e zonës së thellë e të varfër malore.

Komuna ushqen ushtarët shqiptarë

Kryetari i komunës së Kukurit, Luan Bega, ka treguar dje, për gazetën “Metropol”, se tashmë nuk ka shumë lëvizje dhe se trupat ushtarake janë të vendosura në fshatin e largët të Rovjes. Më shumë se 100 ushtarë janë mbajtur me ushqim nga vetë ai, duke iu dërguar çdo vakt një sasi të konsiderueshme ushqimesh. Sipas tij, familjet e Rovjes nuk kanë mundësi të ndihmojnë ushtrinë shqiptare dhe largësia nga qyteti i Gramshit së bashku me terrenin e thyer, e bëjnë të vështirë furnizimin e tyre me ushqime.

Kyekomunari Bega ka arritur që edhe gjatë ditës së djeshme të furnizojë me ushqime të gjithë ushtarët e vendosur në Rovje, ndërsa kontaktet me amerikanët kanë qenë pothuajse inekzistente. Helikopterët ushtarak kanë zbritur disa herë gjatë mesditës, duke furnizuar edhe me ushqime ekspertët amerikanë, ndërsa mësohet se gjatë pasditës është bërë edhe transporti i trupave të 9 ushtarëve të vdekur në aksidentin ajror.

Hetimi

Mësohet se procedurat e këtij misioni ushtarak pas tragjedisë së ndodhur mbrëmjen e 31 marsit kanë kaluar plotësisht në duart e ekspertëve amerikanë. Tri ditë pas aksidentit ajror në Gramsh, në Tiranë dje kanë mbërritur dy avionë ushtarakë, të cilët kanë sjellë ekipe të mëdha me ekspertë amerikanë, që do të hetojnë rrethanat e rrëzimit të avionit Herkules C-130. Sipas banorëve, gjatë pasdites se 1 prillit dhe gjatë gjithë ditës së djeshme kanë lëvizur shumë pak automjete me targa të trupit diplomatik amerikan. Ndërsa ushtarakët shqiptarë kanë qëndruar në Rovje të gatshëm për çdo ndihmë ndaj ekspertëve dhe ushtarakëve amerikanë. Asnjë shqiptar, edhe me uniformë, nuk i është afruar vendit ku është regjistruar edhe ngjarja e rëndë. Rrëzimi i avionit amerikan, ku humbën jetën 9 ushtarakë, është cilësuar si sekret ushtarak dhe gjithashtu janë tërhequr nga vendi i ngjarjes të gjithë efektivat e policisë së shtetit, pasi në bazë të konventave ndërkombëtare ushtarake në raste të tilla të gjitha procedurat i kalojnë vendit përgjegjës për forcat ushtarake. Ngjarja e rëndë, ku humbën jetën 9 ushtarët amerikanë, ndodhi mbrëmjen e së enjtes. Moti i keq dhe ndonjë avari në avionin ushtarak dyshohet se kanë qenë shkaqet e aksidentit tragjik. Ushtarët e aviacionit amerikanë ishin në vendin tonë në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët ushtarake në mes të të dy vendeve.

Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko

“Falenderime për trupat ushtarake të operacionit të kërkim-shpëtimit”

Kreu i Mbrojtjes, Majko, inspekton vendin ku ra avioni amerikan. Pasditen e dy ditëve më parë, ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Pëllumb Qazimi dhe ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura kanë shkuar në vendin ku ndodhi aksidenti me avionin amerikan MC130H në fshatin Grizë, të rrethit të Gramshit. Ata inspektuan nga afër vendin, ku në orët e vona të mbrëmjes të datës 31 mars 2005 u rrëzua një avion ushtarak amerikan.

Ministri i Mbrojtjes, Majko, pasi njohu nga afër rrethanat dhe terrenin, ku ndodhi aksidenti i rëndë, është takuar me banorë dhe drejtues të komunës, si dhe ka takuar trupat ushtarake të Batalionit Special, të Njësisë së Këmbësorisë të Korçës, të Policisë Ushtarake dhe forcat e tjera të operacionit të kërkim-shpëtimit.

Ai ka falenderuar dhe përgëzuar trupat ushtarake për angazhimin maksimal të tyre në këtë operacion kërkim-shpëtimi, për punën me përgjegjësi të lartë për orë të tëra dhe në kushte tepër të vështira të terrenit e motit, që kanë bërë për gjetjen e kufomave të ushtarakëve amerikanë, që humbën jetën në këtë aksident tragjik.

Komanda amerikane për Evropën

“Durim dhe mirëkuptim për hetimet në nder të familjeve të viktimave”

Durim dhe mirëkuptim deri në përfundim të hetimit, kanë kërkuar krerët e ushtrisë amerikane për Evropën.

“Forcat e SHBA dhe ato shqiptare të skuadrave të shpëtimit janë duke punuar vazhdimisht në zonën rreth 35 milje në juglindje të Tiranës, ku MC-130 H avion i SHBA ra”. Kështu fillon njoftimi i dalë nga komanda amerikane për Evropën e vendosur në Gjermani.

“Avioni, vazhdon më tej njoftimi i dalë dje, ra në mbrëmjen e 31 marsit, gjatë një misioni trajnimi. Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të marrë konfirmime mbi statusin e nëntë pjesëtarëve derisa i gjithë personeli në bord të jetë plotësisht i identifikuar”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Krerët e komandës së operacioneve speciale në Evropë, kanë kërkuar “durim dhe mirëkuptim derisa të përfundojë operacionet në nder të familjeve të të rënëve, që janë në një situatë tepër të vështirë”.

Misioni i stërvitjes JCET ishte duke u zhvilluar së bashku me forcat shqiptare. Që nga incidenti qeveria shqiptare dhe forcat ushtarake shqiptare kanë dhënë asistencën e plotë në operacionin e kërkimit. Oficerët e Ushtrisë së SHBA janë duke hetuar mbi shkaqet e rrëzimit të avionit, përfundon njoftimi i dalë dje nga zyrat qendrore të komandës së ushtrisë amerikane për Evropën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›