E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiste automjetet e bashkëfshatarëve, në pranga i dënuar me 13 vjet burg

03/04/2005  Prej një vitit fshihej në Gjakovë

FIER - Një person shum i kërkuar nga policia është arrestuar dje si rezultat i një operacioni të organizuar nga forcat e Komisariatit të Policisë së Fierit. I drejtuar nga shefi i Komisariatit, Naun Doko, u mundësua, rreth orës 09.00 të mëngjesit, kapja e personit në kërkim, i dënuar me 13 vjet burg për veprën penale të grabitjes me armë.

Shtetasi Valter Tafa, i datëlindjes 1988, banues në fshatin Rreth-Libofshë, në lagjen e quajtur Cipllakë, është arrestuar nga policia e Fierit, pasi kishte rreth 11 muaj që qëndronte i fshehur. Tafa ishte person në kërkim për veprën penale të grabitjes me armë, vepër kjo e ndodhur më 10 prill të vitit 2004.

Burimet zyrtare marrë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, pohojnë se grabitja është kryer në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Metaj” të komunës së Libofshës, komunë nga ishte edhe autori i grabitjes. Po sipas burimeve policore, grabitja është kryer edhe nga 1 person tjetër, i cili është arrestuar nga forcat e Komisariatit të Policisë së Fierit, menjëherë pas veprës penale. Qysh prej asaj kohe, Tafa ka qenë person në kërkim nga policia, ndërsa gjyqësori fierak e ka dënuar atë me 13 vjet burg për veprat penale të grabitjes me armë dhe tentativës për vrasje të një shtetasi.

Ka qenë ora 5 e mëngjesit të 10 prillit 2004, kur Valter Tafa, së bashku me një person tjetër, ka dalë në aksin rrugor Libofshë-Metaj, për të grabitur automjetet që do të kalonin andej. Pasi kanë bërë gati maskat dhe janë pajisur me armë zjarri automatike, i kanë dalë përpara një automjeti Benz, me targa të Fierit, dhe pasi e kanë kërcënuar me jetën drejtuesin e automjetit, i kanë marrë makinën dhe sendet me vlerë, dhe janë larguar me shpejtësi. Pas denoncimit të personit të dëmtuar është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve, ndërsa Valteri ka qenë person në kërkim dhe i dënuar nga Gjykata me 13 vjet burg.

Ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera, si e vjedhjeve të mëparshme. Sipas shefit të komisariatit të policisë Fier, Naun Doko, mbi të rëndon edhe akuza e plagosjes së një drejtuesi automjetesh.

”Ai, tha Doko, parapëlqente të vidhte në zonën e Libofshës, kryesisht motora, por edhe automjete të tjera si furgona apo Benza. Vjedhjet i ka kryer qysh në vitin 1997 e deri në 2004, kur është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Gjatë kësja kohe autori ka qenë në Gjakovë të Kosovës, ku gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në kërkim, ka qëndruar atje, madje ka marrë edhe një dyqan me qira dhe ka ushtruar aktivitetin e tij privat”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›