E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e mashtrueses mbërrin në gjykatë

Dosja e Albana Lazes, e akuzuar për veprën penale të mashtrimit e parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Dje, në këtë gjykatë është hedhur shorti elektronik, i cili ka caktuar gjyqtarin Bujar Krasniqi, për të kryesuar trupin gjykues të kësaj çështjeje. 34 vjeçarja është arrestuar në tetor të vitit të kaluar pas denoncimit që bënë familjarët e Emiljano Shullazit, një të pandehuri që po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas denoncimit, familjarët e Shullazit i kishin dhënë Lazes 150 euro, pasi kjo e fundit kishte pretenduar se ishte vajza e tezes së kryetarit të Gjykatës së Krimeve, Sandër Simoni, dhe se do të shfrytëzonte këtë lidhje për të liruar Shullazin dhe shokun e tij Ergys Ferhati. Pasi e panë që njerëzit e tyre nuk po liroheshin, familjarët kanë bërë denoncimin përkatës. Vetë Laze nuk e ka pranuar akuzën gjatë seancës për shqyrtimin e masës së sigurisë. Ajo ka deklaruar se nuk ka mashtruar njeri, por vetëm se kishte marrë borxhe që do t‘i shlyente me biznesin e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›