E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy të rinjve, shpërndanin heroinë dhe kokainë në gjimnaze

Dy shpërndarës të lëndëve narkotike kanë përfunduar në pranga të policisë, pasi janë kapur duke shpërndarë heroinë. Sined Kola, 25 vjeç dhe Edison Stambolli, 18 vjeç, të dy me banim në Kodër-Kamzë, u kapën teksa po shpërndanin lëndë narkotike në një zonë të Tiranës. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ndaj dy personave të lartpërmendur është marrë masa e arrestit për konsumim të veprës penale të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Sipas të dhënave nga grupi hetimor, bazuar në grumbullimin e saktë të informacioneve të disponuara për këta dy persona, rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, u mundësua kapja në Kodër-Kamzë, me një sasi pluhuri të dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrollit të banesave të tyre, u gjetën dhe u sekuestruan sasia prej 10.8 gramë pluhur i dyshuar si heroinë, që ishte i ndarë dhe ambalazhuar në 7 proporcione. Veç kësaj, policia ka mundur të sekuestrojë edhe sasinë prej 6.8 gramë pluhur me ngjyrë të bardhë, që dyshohet se është lëndë narkotike e llojit kokainë. Edhe kjo ishte e ndarë dhe ambalazhuar në gjashtë proporcione. Ndërkohë, policia tha se gjatë kontrollit personal, dy të arrestuarve iu gjetën edhe 24 tableta heroine. Megjithatë, nga hetimet e policisë mësohet se dy të ndaluarit bashkëpunonin edhe me dy persona, emrat e të cilëve ndodhen në dosjen e uniformave blu dhe për arsye hetimore nuk bëhen publikë. Policia tha se ata hetoheshin prej disa javësh dhe tashmë ka nisur puna për dokumentimin e implikimit të dy personave të tjerë në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›