E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohen 5 vjet burg për Spartak Gjinin

Dy zyrtarët e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe biznesmeni i firmës "Siret", të arrestuar në fund të vitit të kaluar rrezikojnë që të dënohen deri në 10 vjet burg së bashku. Dje prokurori i çështjes ka lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës, duke kërkuar shpalljen fajtor të Spartak Gjinit, ish-sekretar i Përgjithshëm në MPÇSSHB, Llambi Tarkës, drejtorit të prokurimeve në këtë dikaster dhe biznesmenit Fiqiri Pali. Në krye të listës së dënimeve, ashtu siç dhe pritej, është Gjini, për të cilin akuza ka kërkuar dënimin me 5 vjet burg dhe 21 milionë lekë. Për Llambi Tarkën janë kërkuar 4 vjet burg dhe 21 milionë lekë gjobë dhe për Fiqiri Palin, 1 vit burg e 9 milionë gjobë. Dy zyrtarët e ministrisë janë akuzuar për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", ndërsa biznesmeni Pali për "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim".

Të tre të pandehurit kanë kërkuar që në fillim të procesit gjykimin e shkurtuar, por nuk janë shprehur rreth akuzës. Në këtë mënyrë ata kanë siguruar uljen e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë. Ata janë arrestuar në fund të vitit të kaluar pas një operacioni që sipas prokurorisë kishte rreth një muaj që përgatitej. Operacioni i koduar "Rikonstruksioni" është kryer pas denoncimit të një prej administratorëve të firmave humbëse të tre tenderëve të fundit të zhvilluar në Ministrinë e Punës. Të pandehurit akuzohen se kanë skualifikuar firmat e tjera dhe kanë ndihmuar firmën "Siret" që të fitojë tenderin për rikonstruksionin e një godine në qytetin e Durrësit. Për këtë veprim, ata kanë marrë ryshfet nga pronari i firmës, i cili tashmë rrezikon burgun, njësoj si zyrtarët e akuzuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›