E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Policia më detyroi të fusja në kurth drejtorin e Arsimit"

Rishfaqet një tjetër Stela. Kësaj radhe, një tjetër vajzë nga Vlora ka denoncuar policinë lokale, e cila po abuzon me pushtetin që i jep ligji. Sipas saj, dy policë e kanë detyruar atë të bashkëpunojë dhe të fusë në kurth drejtorin e Arsimit të Vlorës (njëherazi edhe kryetar i Partisë Demokrate të Re dhe ish-kandidat për deputet i kësaj partie), të cilit i kishte kërkuar lidhjen e një kontrate si mësuese në fshatin Vranisht. Përmes një interviste në "Fiks Fare", Tetrakina ka treguar se si dy policë e pajisën me përgjues dhe i kërkuan që t‘i jepte 500 mijë lekë drejtorit Kozma Leka, i cili në të vërtetë nuk i kishte kërkuar asnjë qindarkë. Vajza tregon më tej se policia i kishte premtuar lirimin nga burgu të babait dhe vëllait të saj, i pari i arrestuar për kultivim të bimëve narkotike dhe i dyti për kalim të paligjshëm të kufirit. Megjithëse Tetrakina pranoi të bashkëpunojë, firmosi denoncimin ndaj Lekës dhe, megjithëse ky i fundit tani ndodhet nën akuzë për mitëmarrje, i ati dhe vëllai vijojnë të jenë ende në qeli.

Intervista

Tetrakina: Historia e vëllait tim është kjo: Kishte 4-5 muaj që ishte futur brenda dhe unë, që kam punuar për dy vjet mësuese, doja të rinovoja një kontratë për vitet 2007-2008. Ndaj kam kërkuar ndihmë te drejtori i Arsimit të Vlorës, zoti Kozma Leka. Në fillim ai nuk më priste në zyrën e tij, sepse kisha pasur disa konflikte me drejtorinë e shkollës së fshatit këtu (në Vranisht - shënim i red.), më thoshte që do më ndihmonte. Kemi pasur disa mosmarrëveshje dhe këto i dinin edhe njerëz të afërt të Kozmait. Për këtë problem, më pas ka ardhur edhe policia dhe më ka kërkuar të bashkëpunoja me ta, t‘i çoja lekë drejtorit të Arsimit.

Gazetari: Policia e kujt?

Tetrakina: Policia e Vlorës.

Gazetari: Kush?

Tetrakina: Kanë ardhur dy persona.

Gazetari: Emrat e tyre, i mban mend?

Tetrakina: Njërit nuk ia mbaj mend, ndërsa tjetri quhet Elton Shima, punonte me Krimin Ekonomik.

Gazetari: Elton Shima. Çfarë detyre kishte?

Tetrakina: Me Krimin Ekonomik.

Gazetari: Çfarë u premtoi?

Tetrakina: Më thanë: Shko dhe çoja lekët drejtorit, do të kesh ndihmesën tonë, hajde bëj kallëzimin.

Gazetari: Ǒpara do t‘i çoje ti drejtorit?

Tetrakina: Do t‘i çoja 500 mijë lekë të vjetra për të siguruar vendin e punës. Pasi jam konsultuar me ta, kam shkuar dhe kam bërë kallëzimin në polici.

Gazetari: Ke bërë ti kallëzim në polici për drejtorin?

Tetrakina: Po, për drejtorin.

Gazetari: Dhe çfarë shkruante aty?

Tetrakina: Sikur kishte kërkuar lekë. Faktikisht nuk kisha bërë asnjë bisedë në atë kohë për punën e lekëve.

Gazetari: Pra, nuk të kishte kërkuar lekë?

Tetrakina: Jo. Pastaj erdhi policia dhe më pajisi me një përgjues.

Telefonata

Tetrakina: Ishin këta që erdhën dhe më gjetën. Më thoshin mua: Shko bëja, shko bëja, se do të të sigurojmë ne për gjithçka...

Gazetari: Po nga erdhi policia, kishte ndonjë njoftim?

Tetrakina: Po, ajo kishte bërë njoftim, por kanë qenë dy persona të afërt të atij Kozmait. Dhe këta personat, ashtu i patën punët me atë dhe u prishën, njëri iku nga puna, ndërsa tjetri ishte në ato ujëra, gati për të ikur nga puna.

Gazetari: Dhe këta persona i thanë policisë të të kapnin ty?

Tetrakina: Po, po, dhe më kapën mua. Më thanë: Shko dhe bëja.

Gazetari: Kush të kapi i pari, e mban mend?

Tetrakina: Ka ardhur njëri nga këta të Krimit Ekonomik. Tani e kam marrë vesh që ka një detyrë tjetër, këtu në Vlorë.

Gazetari: Çfarë është ai?

Tetrakina: Atë e quajnë Mylaim..., por ai ka një detyrë tjetër.

Gazetari: Ai ka ardhur në fillim?

Tetrakina: Po, ai ka ardhur. Edhe ai, Elton Shima.

Gazetari: Ata të kanë thënë ta bësh këtë?

Tetrakina: Po, shko bëj kallëzim. Kallëzimin e kanë bërë vetë ata, por disa fletë i kam firmosur unë.

Rasti i mëparshëm

Stela u vra pasi denoncoi

Vajza nga Vlora, që denoncoi disa oficerë policie, të cilët e kishin "rekrutuar" për të futur në kurth biznesmenë të ndryshëm, u gjet e vrarë buzë detit. Joana Dudushi, e njohur ndryshe si Stela, u gjet natën e 31 gushtit 2005 e masakruar. Stela denoncoi në "Fiks Fare" me emra disa oficerë policie: Genti Dervishin, shefi i Antitrafikut në Komisariatin e Vlorës, Alket Tafën, ish-shefi i Antitrafikut në të njëjtin komisariat, Erjol Sulçen, oficer gjyqësor në komisariatin e qytetit bregdetar, si dhe një oficer tjetër me emrin Haki. Sipas saj, ata e detyronin të kryente marrëdhënie seksuale, kryesisht me biznesmenë dhe në momentin e aktit, ata i arrestonin në flagrancë. Ndërsa vajza lihej e lirë. Për tre vjet rresht, ata i detyronin biznesmenët të paguanin gjoba të mëdha, me qëllim që çështja e tyre të mbyllej e ata t‘i shpëtonin dënimit për akuzën e favorizimit të prostitucionit. Pas denoncimit u zhvilluan disa seanca gjyqësore në ngarkim të oficerëve të policisë, por kjo çështje u mbyll shpejt, pasi për arsye që nuk dihen, vajza tërhoqi denoncimin dhe u kërkoi atyre falje në sallën e gjyqit. Pak kohë më pas ajo u vra nga persona, të cilët sipas hetimeve, nuk kishin lidhje me oficerët e policisë që ajo kishte denoncuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›