E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen aleancistët, lanë 1 milion lekë garanci

• VLORE – Lirohen kundrejt garancisë pasurore 2 prej 3 aleancistëve, të cilët prej rreth 2 javësh qëndruan në burg me akuzën e tubimit të paligjshëm.

Gjykata e Vlorës, pas kërkesës për rivlerësim të masës së sigurisë, vendosi dje hetimin në gjendje të lirë të Eneid Hamzait, Besnik Lulës dhe Sadrit Danajt. Bazuar te mbrojtja e avokatit të Hamzait se ai është student, masa u la “detyrim paraqitje”, pa i ngarkuar detyrim në formë garancie. Ndërsa për Danajn dhe Lulën u caktua pagesë prej 1 milion lekësh të reja që të linin qelitë. Pas derdhjes së shumës së parave në bankë nga familjarët e tyre dhe dorëzimit në gjykatë të mandatit të arkëtimit, trupi gjykues vendosi lirimin e tyre. Të tre të rinjtë janë të detyruar të paraqiten në prokurori sa herë t’u kërkohet, pasi ende është në shqyrtim dosja ndaj tyre. Gjashtë persona, mbrojtës të lëvizjes kundër ndërtimit të Petroliferës në zonën e Pyllit të Sodës, u arrestuan mbrëmjen e 1 prillit me akuzën e protestës së paligjshme dhe bllokimit të rrugës nga automjetet. Vetëm tre prej tyre u lanë në burg pa afat, masë kjo e ndryshuar dje nga gjykata. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›