E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçovë, kthehet pas 5 ditësh e zhdukura

• Pas 5 ditësh rikthehet në shtëpi vajza 17-vjeçare e familjes Nuhu nga Kuçova, e deklaruar e zhdukur nga familjarët.

KUÇOVE/ DILAVER XHELILI

 Bëhet e ditur se në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, Ilja Nuhu ka trokitur në derën e familjes.
Sipas familjarëve vajza është shprehur se ka ikur me dëshirën e saj nga shtëpia. Ajo ka treguar se nuk ka pasur kërcënime nga i ati, i arrestuar bashkë me 3 nipër të tij për rrëmbimin e dy personave të akuzuar për zhdukjen e adoleshentes. Ditën e djeshme, ndërsa pritej zhvillimi i masës së sigurisë ndaj Xhevit Nuhut dhe tre të tjerëve, vajza ka takuar avokatin e të atit, duke pohuar se ndihej keq për pasojat që kishte lënë largimi i saj. Sipas banorëve të lagjes mësohet se, vajza kishte marrë në shtëpi 1.5 milionë lekë të vjetër dhe është larguar nga shtëpia në drejtim të Tiranës, por as ata e as familjarët nuk japin detaje se cili ishte personi që ka shoqëruar adoleshenten në këtë udhëtim. Kur është njohur me ngjarjen e marrjes peng të Kristaq Jorgjit dhe Arenc Jorgjit, ish-të dashurit të saj nga babai Xhevit Nuhu dhe tre të afërmit Florian e Dorian Nuhu përkatësisht nga 19 e 20 vjeç, si edhe S.Nuhu ajo ka vendosur të rikthehet në shtëpi. Megjithë gjetjen e vajës, trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë në burg pa afat për 4 të arrestuarit për veprën penale të “pengmarrjes në bashkëpunim” dhe “keqtrajtim” të Arenc dhe Kristaq Jorgjit. Ngjarja e pengmarrjes ndodhi në orën 20:00 të së premtes. Gjithçka kishte lindur pas largimit nga shtëpia pa adresë të vajzës 17-vjeçare të familjes Nuhu. Familjarët ishin njoftuar se ajo ishte larguar në drejtim të Tiranës me një djalë. I pari person i dyshuar për këtë ishte 20-vjeçari Arenc Jorgji, pasi familjarët kishin dijeni për një lidhje të vajzës së tyre me të. Të bindur për dyshimin e tyre, i ati i saj i shoqëruar nga tre persona të tjerë i ka kërkuar llogari dhe shpjegime 20-vjeçarit Jorgji dhe të atit të tij. Ndërkohë që i riu u ka pohuar se, lidhja e tij me 17-vjeçaren kishte mbaruar tre muaj më parë, kjo nuk është besuar nga rrëmbyesit dhe duke përdorur forcën ata i kanë hipur atë e bir në furgonin taksi në pronësi të Xhevit Nuhut. Më pas ata kanë udhëtuar drejt fshatit Mishovë, ku edhe kanë filluar t’i keqtrajtojnë pengjet. Një sms e nisur nga 20-vjeçari familjarëve të tij, bëri që ata të lokalizoheshin nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›