“Dosja virxhin”, 16 të pandehur në gjykatë
Tiranë Një nga rastet flagrante të mashtrimit me tregtimin e karburanteve ishte dhe çështja “virxhin”, e cila deri tani numëron të paktën 16 të pandehur. “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës është drejt mbylljes së hetimeve dhe njoftimit të akuzave për të gjithë personat e përfshirë në skemën e mashtrimit në tregtimin e naftës virxhin. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se brenda pak ditësh prokuroria pritet të dërgojë pranë Gjykatës së Tiranës dosjen penale në ngarkim të 16 të pandehurve, mes të cilëve pronari i kompanisë “Euroil”, Hajri Elezaj. Gjithashtu si të përfshirë në skemën e mashtrimit janë edhe pronarët e kompanisë “Fisheku” dhe “Martini”, të cilët dyshohet se kanë transportuar naftën virxhin nga kompania “Armo” në Fier drejt depozitave në Durrës, ku dyshohet se bëhej përzjerja e naftës virxhin me benzinën për tu hedhur në treg. Zyrtarisht kjo lloj nafte deklarohej si e eksportuar jashtë vendit. Por pas denoncimit të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, prokuroria arriti të provojë se të paktën 17 mijë tonë naftë virxhin, e deklaruar si e eksportuar jashtë vendit, është rihedhur në treg pasi është përzier me benzinën. Pas hetimit, prokuroria urdhëroi arrestimin e të paktën 13 personave që dyshoheshin si të përfshirë në skemën e mashtrimit. Gjatë hetimeve të kryera pas arrestimit të të dyshuarve si përgjegjës, u arrit të zbulohej se në këtë aferë ishin përfshirë edhe disa inspektorë të anti-kontrabandës, të cilët kishin deklaruar të dhëna të rreme. Në një nga rastet e provuara, prokuroria ka arritur të sekuestrojë një procesverabl sipas të cilit inspektorët e anti-kontrabandës kanë deklaruar eksportin e naftës virxhin, në një kohë që anija në të cilën thuhet se është ngarkuar karburanti është nisur bosh nga Porti i Vlorës. Gjithashtu, pjesë e skemës së mashtrimit, sipas prokurorisë, janë edhe shoferët apo punonjës të tjerë të kompanisë “Fisheku”, të cilët kanë kryer transportin e naftës virxhin me botet e kësaj kompanie. Personat e vënë nën akuzë dyshohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.