OMONIA: Të shtyhet procesi, në të kundër e bëjmë vetë regjistrimin
Tiranë Organizata OMONIA ka kërkuar dy ditë më parë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, që pritet të nisë më datë 1 tetor, derisa të shfuqizohet ligji i miratuar për këtë proces, pasi, sipas OMONIA-s, ky ligj praktikisht ndalon vetëdeklarimin e qytetarëve. Kjo deklaratë është bërë dy ditë më parë nga qyteti i Sarandës, ku organizata OMONIA ka zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, e cila në qendër të saj kishte procesin e regjistrimit të popullsisë në vendit tonë. “Kërkojmë shtyrjen e afateve të regjistrimit, që koha që do të mbetet të përdoret për rregullimin e mangësive dhe dashakeqësisë të procesit aktual, si përmirësimi i klimës, fushatë për pjesëmarrjen, materialin e parapërgatitur dhe pyetësor në gjuhën amtare dhe transparencë në analizimin e të dhënave”, deklaroi OMONIA, duke kërkuar mbi të gjitha shfuqizimin e amendamenteve të kaluara nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet në ligjin për regjistrimin e popullsisë, sipas të cilave, çdo person që do të bëjë deklarim të rremë, do të gjobitet me 100 mijë lekë të reja. OMONIA vendosi “si kusht të panegociueshëm të anulohet ligji përkatës, që ndalon në realitet të drejtën e vetëdeklarimit” dhe për këtë kërkoi nga qeveria të shtyhen afatet e regjistrimit. Më tej, në deklaratën për shtyp, thuhet se procesi nuk i plotëson siç duhet kërkesat në mënyrë që të reflektojnë siç duhet dhe me saktësi çështjet e ndjeshme të BE-së, siç është demografia e minoriteteve. “Regjistrimi është projektuar për të ulur artificialisht të dhënat statistikore për BE-në, përsa i përket të drejtave të minoriteteve dhe rrjedhimisht kjo gjë nuk mund të pranohet”, thuhet në këtë deklaratë.
Pretendimet e OMONIA-s kanë arritur deri aty sa të kërkojë nga autoritetet shqiptare që formulari i regjistrimit të jetë edhe në gjuhën amtare për pjesëtarët e minoritetit, si një e drejtë legjitime e tyre. Nga ana e saj, OMONIA ka kërcënuar se, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë ajo do ta kryejë vetë regjistrimin e minoritetit mbi bazat e Bashkimit Europian. Ndërkohë, OMONIA nuk ka lënë pa komentuar dhe vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë “turp dhe zhgënjimin e saj për vendimin që u detyrua nga forca anti-greke”.