Rama: Lërini pas politikanët që sjellin ndarje
"Ne duhet të bashkohemi dhe t‘i lëmë pas politikanët e vjetër, që na sjellin vetëm arsyet për t‘u ndarë". Me ketë mesazh iu drejtua kreu i socialistëve, Edi Rama, banorëve të fshatrave në Qarkun e Dibrës. Lideri i opozitës bëri thirrje që të lihet pas Sali Berisha me gjithë shpurën e tij, sepse nuk ka të ardhme me ta. "Dhe kjo, shtoi Rama, jo sepse janë demokratë, por sepse janë aty vetëm për interesat e tyre për pushtet dhe që bien ndesh me interesat e socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, gjithë qytetarëve që sot gjenden pa shtet". Sipas tij, kjo është arsyeja pse ne duhet të bashkohemi, për t‘i dhënë jetë një politike të re, që duhet të hapë një kapitull të ri dhe të mbyllë atë të vjetrën, të premtimeve që kthehen në zhgënjime, të mungesës së perspektivës, që është e mjaftueshme që shqiptare e shqiptarë sot, veçanërisht ata që jetojnë në fshat, ta shikojnë arratisjen, si të vetmen arsye për të mbijetuar. Do premtojmë vetëm ato që do të bëjmë, u shpreh kryetari socialist Rama, duke nënvizuar se programi i ri i PS-së do të rikthejë në qendër të vëmendjes punën me tokën. Ai zhvilloi edhe takime në fshatrat Kala e Dodës, Sllovë e Muhurr. "Prodhimi bujqësor dhe blegtoral nuk është një çështje familjare, por një çështje kombëtare. Shqipëria sot duhet ta kthejë vështrimin e saj nga fshati, nga bujqësia dhe blegtoria", vlerësoi Rama. "Por, vijoi ai, si mund ta kthejë vështrimin, nëse politika nuk e ka fare në listë bujkun, nuk e ka fare në listë çështjen e ushqimit?!"