Dosjet , Xhafaj: PS, gati për konsensus
Partia Socialiste ndërgjegjësohet për nevojën e këtij ligji. Drafti i PD-së është pranuar nga PS-ja por i gjithë debati i tanishëm është vendosur vetëm në një pikë, kush do të verifikohet. Ndërsa PS-ja kërkon zvogëlimin e rrezes, PD-ja kërkon pastrimin e administratës në çdo nivel. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, në mënyrë surprizuese, kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar.
Fatmir Xhafaj, sekretari i çështjeve ligjore në PS, konfirmoi dje dhënien e konsensusit nga ana e partisë së tij për miratimin e ligjit të hapjes së dosjeve të periudhës komuniste. Në mënyrë krejt surprizë, Xhafaj kërkoi që të ngrihet një komisioni i posaçëm parlamentar, i përbërë nga të gjitha grupet kuvendore, për të punuar mbi këtë variant konsensual. Xhafaj tha se ky proces duhet të ketë edhe asistencën e ekspertëve të organizatave të huaja që asistojnë në Shqipëri. Pavarësisht se palët kanë rënë dakord që ligji do të miratohet, PS-ja i ka shfaqur hapur PD-së një shqetësim, mënyrën e verifikimit. PS-ja kërkon uljen e rrezes së veprimit të këtij ligji, si dhe të ridiskutohet se cila pjesa e administratës do të “pastrohet”. Në këtë pikë ka një ndarje mes dy forcave kryesore. PD-ja kërkon që jo vetëm ish-bashkëpunëtorët e sigurimit, por edhe punonjësit e tij, zyrtarët e lartë të sistemit etj. duhet të përjashtohen nga vendimmarrja publike. Në këtë pikë PS-ja ka disa rezerva. Ajo kërkon që të specifikohet qartë me termin “zyrtar komunist”. Gjithsesi, deklarata e Xhafës shprehte se PS-ja do të plotësonte detyrimet që lindnin nga Rezoluta e Këshillit të Evropës. “Për të reflektuar këtë frymë parimore, për të siguruar një proces sa më transparent e konsensual, për të mundësuar hartimin e një ligji të standardeve evropiane, ne propozojmë ngritjen e menjëhershme të një grupi pune ad-hoc kuvendor me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe me asistencën ligjore të Këshillit të Evropës e të OSBE-së. Ne mirëpresim dhe e vlerësojmë pozitivisht shprehjen e angazhimit të këtyre institucioneve ndërkombëtare shumë të respektuara për të ofruar ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces”, - deklaroi Xhafaj. Në këtë deklaratë, Xhafaj pranoi edhe faktin se në këto 17 vite, ligjet për “pastërtinë” e figurave në shtet kanë dështuar. “Ne vlerësojmë se partnerët e specializuar ndërkombëtarë kanë shumë për të na dhënë në këtë proces dhe pa asistencën e tyre procesi i hapjes së dosjeve rrezikon të mbetet deklarativ, gjysmak dhe i dështuar, siç ka ndodhur 17 vjet rresht, ku është luajtur me njerëzit e me të kaluarën e tyre për qëllime partiake, elektorale apo thjesht personale”, - tha Xhafaj. Sekretari ligjor i PS-së shtoi se “miratimi i ligjit nëpërmjet këtij procesi konsensual, transparent e ligjor do të kontribuojë gjithashtu të mbyllë përfundimisht këtë debat që vazhdon për vite të tëra të konsiderohet instrument politik në duart e disa politikanëve të frymës së vjetër të mbajtur peng ndaj së kaluarës, të paaftë për t’u zgjidhur shqiptarëve çështjet e së tashmes dhe të ardhmes së tyre”. Ligji i “dosjeve” ka disa çështje për të cilat ka një mirëkuptim mes të dyja palëve. Pavarësisht kundërshtive, është vendosur që të ketë një Komision të Verifikimit të Figurave, anëtarët e të cilët do të jenë persona me integritet, me mandat, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me konsensus. Anëtarët do të propozohen gjysma nga PD-ja dhe gjysma nga PS-ja, ndërsa kryetari i Komisionit të Verifikimit do të zgjidhet me konsensus. Pavarësisht se ka qenë ligji i mëparshëm i vitit 1995, i cili ka lustruar administratën dhe politikën, të gjithë do të riverifikohen sërish. Lustrifikimi do të prekë të gjithë politikën aktive, deputetët, kryetarët e partive si dhe majën e administratës. Palët kanë rëndë dakord që postet jovendimmarrëse në administratë nuk ka pse t’i nënshtrohen këtij procesi. Pika që ende mban pezull diskutimet, është pjesa në të cilën duhet të ndërpritet mandati për të zgjedhurit apo jo.