Qeveri-FMN, problem vetëm dritat
Fabiola Çela
Përjashto arkëtimet e energjisë elektrike, ekonomia shqiptare ka marrë vlerësimet maksimale nga zyrat qendrore të FMN. Sipas deklaratës përmbyllëse të fondit për Shqipërinë, qeveria dhe Banka e Shqipërisë, kanë ditur të realizojnë të gjithë objektivat e vendosura tre vite më parë. Por, dhe në rastin e Shqipërisë, ka gjithmonë një 'por', energjia elektrike vazhdon të ngelet një problem. Këtë radhë jo mungesa e saj, por mosarkëtimi, pra vjedhja.
Vlerësimi i FMN
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi inspektimin e gjashtë dhe të fundit të performancës ekonomike të Shqipërisë dhe garancitë e financimit nën marrëveshjen tre vjeçare. Kompletimi i këtyre inspektimeve mundëson lëvrimin e rreth 3.6 milionë dollarëve. Pas diskutimeve të bordit ekzekutiv mbi Shqipërinë, Murilo Portugal, zv/drejtori i menaxhimit, vlerësoi me nota optimiste ecurinë e ekonomisë shqiptare. "Autoritetet shqiptare janë për t'u lavdëruar për performancën e tyre të fortë, nën programin mbështetës të Fondit. Zbatimi që ata i kanë bërë politikave ekonomike dhe progresi i bërë në reformat strukturale, i kanë lejuar Shqipërisë të mbajë një rritje të lartë dhe inflacion të ulët. Forcimi i të ardhurave të administratës, përmbushja e axhendës së privatizimit dhe përmirësimi i ambientit të biznesit janë veçanërisht të mirëpritura".
Këshillat për krizën
Por për Portugal, kriza ekonomike botërore do të sjellë sfida të reja për ekonominë shqiptare. "Megjithatë, rënia e ekonomisë globale dhe trazirat financiare kanë rritur cënueshmërinë, pasi po vërehen presione nga ngadalësimi i parave të dërguara nga emigrantët, ulja e eksporteve dhe tendosja e kushteve financiare. Zbatimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm i politikave ekonomike dhe premtimet e patundura për të bërë reformë janë të nevojshme". Numri dy i FMN thekson se qeveria duhet të thellojë reformën fiskale dhe të mbajë të lartë ritmin e të ardhurave. "Konsolidimi fiskal do të jetë themelor për forcimin e elasticitetit të ekonomisë. Qëndrimi më i shtrënguar fiskal, për të cilin autoritetet kanë premtuar për vitin 2009, do të ndihmojë për të ulur nevojat e financimit buxhetor në një ambient sfidues. Kontrollimi i shpenzimeve, vonimi i shkurtimit të planifikuar në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe rritja në masë e tarifave të elektricitetit në nivelet e rigjenerimit të kostos do të ndihmojë pozitën e duhur fiskale.
Çfarë duhet bërë
Sipas FMN, gjatë periudhës afat-mesme, reforma të tjera fiskale do të krijojnë hapësirë për shpenzimet e zhvillimit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik. Një ligj fiskal do të ishte një mjet i rëndësishëm për të akorduar më mirë politikën fiskale, për të forcuar disiplinën fiskale dhe për të ulur borxhin publik. Për më tepër, rritja e stimujve për punëtorët për të marrë pjesë në sistemin e pensioneve do të ndihmonte në luftën ndaj evazionit të taksave.
Për Bankën e Shqipërisë
Fjalë të mira edhe për Bankën e Shqipërisë. Sipas FMN, struktura ekzistuese e politikës monetare, përfshirë një bankë qendrore të pavarur dhe kursin e lirë të këmbimit, i ka shërbyer ekonomisë mirë dhe mbetet e përshtatshme. "Vëzhgimi i vazhdueshëm dhe i kujdesshëm, monitorimi i shkallës së lartë, dhe koordinimi i afërt me vëzhguesit e huaj të bankave rezidente do të jenë të rëndësishëm për të lehtësuar rreziqet e shfaqura. Shtimi i fundit i mekanizmave për dispozitat e likuiditetit është i mirëpritur. Dekretet e para të falimentimit të ri dhe ligjet paralele do të forcojnë më shumë gatishmërinë për krizën".
Për KESH-in
"Progres vendimtar në përmirësimin e performancës së dobive publike, veçanërisht në kompanitë e elektricitetit, është një reformë themelore prioritare. Lançimi i suksesshëm i procesit të privatizimit për kompaninë e shpërndarjes së elektricitetit ishte një hap përpara, dhe finalizimi i shitjes së kompanisë së shpërndarëse do të ofrojë një shans për të ulur vjedhjen e elektricitetit dhe për të siguruar një furnizim të besueshëm në një term të mesëm".
Kërkesat e sindikalistëve
FMN
Kriza do të prekë të ardhurat nga emigrantët dhe eksportet
Qeveria
Eshtë vënë re ulja e të ardhurave nga emigrantët, eksportet dhe investimet e huaja
FMN
Tarifat e energjisë elektrike duhet të përmbushin koston
Qeveria
I kemi kërkuar entit të llogarisë koston e energjisë për të ndryshuar çmimin
FMN
Privatizimi i OSSH do të ulë vjedhjet e energjisë elektrike dhe do rrisë besimin për më shumë drita
Qeveria
OSSH nuk e realizoi targetin për arkëtime 62 për qind. Privatizimi është në fazën e mbylljes