Vrau burrin me thikë, nis gjyqi ndaj 29-vjeçares
TIRANE - Gjykata e Tiranës filloi dje shqyrtimin e çështjes në ngarkim të 29-vjeçares Vitore Suçi, e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj Mirash Doda. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e kryeqytetit, në ngarkim të Suçit rëndon akuza e vrasjes në kushtet e tronditjes së rëndë psikike. Ndërkohë vetë e pandehura në asnjë moment nuk e ka mohuar akuzën, madje ajo ka shpjeguar vetë para policëve në momentin e arrestimit të gjithë ngjarjen. Sipas hetimeve, krimi në familje ka ndodhur më 24 gusht të vitit të kaluar në zonën e Bregut të Lumit. Sipas Prokurorisë, Mirash Doda, 40 vjeç dhe Vitore Suçi, 28 vjeçe, kishin vetëm tri javë që ishin martuar. Të dy vinin nga martesa të dështuara, ndërsa ishin lidhur bashkë nëpërmjet një shkuesi. Por menjëherë pas celebrimit të martesës, midis bashkëshortëve kanë lindur konfliktet e para, bazë e të cilave kanë qenë kushtet e vështira ekonomike. Ditën e ngjarjes, 29-vjeçarja Suçi kishte vendosur të ikte nga shtëpia dhe të kthehej te prindërit e saj në Paskuqan, por është kundërshtuar nga bashkëshorti. Vajza ka thirrur prindërit e saj ta merrnin, por aty ata janë përballur me kundërshtimin e ashpër të 40-vjeçarit Doda. Në grindje e sipër, gruaja ka pasur në dorë thikën e bukës, ndërsa është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, të cilin e ka qëlluar në një moment teksa përpiqej të mbrohej nga goditjet e tij. fa.ma.