Kartat, Topi: Qeveria të mbajë premtimin në zgjedhje
bledar hoti
Sllovenia mbështet aspiratën e Shqipërisë për procesin e integrimit euroatlantik. Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, pas takimit me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, deklaroi se “Sllovenia mbështet dhe aspiratën e natyrshme të Shqipërisë për liberalizimin e vizave me BE-në”. “Ne besojmë se kjo është një shprehje natyrale e dëshirës së qytetarëve shqiptarë për të lëvizur lirisht në Evropë. Gjithashtu ne besojmë se ky është një element përbërës i rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian”, deklaroi Turk. Presidenti Turk në konferencën e përbashkët për shtyp, bëri të ditur se përpara mbërritjes së tij në Tiranë, ka firmosur pro vendimit të parlamentit slloven për marrëveshjen e protokollit mes NATO-s dhe Shqipërisë. “Ne vlerësojmë dhe faktin që Shqipëria po konsideron tani kërkesën e saj për statusin e kandidatit të anëtarit të Bashkimit Evropian dhe jemi të gatshëm që t’i ofrojmë asaj mbështetjen tonë, si në planin politik, ashtu dhe në terma konkretë”, deklaroi Turk. Kreu i shtetit shqiptar, Topi deklaroi se “pata rastin ta falënderoj Presidentin Turk për ndihmën që i ka dhënë ai personalisht, dhe institucionet e Sllovenisë, rrugës së integrimit të Shqipërisë dhe padyshim momenti më i rëndësishëm që ai do ta shprehë dhe vetë është nënshkrimi nga ana e tij e dekretit për ratifikimin e Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i miratuar nga Parlamenti slloven”. “Marrë në konsideratë miratimin nga Parlamenti grek dje, dhe nga senati i Vendeve të Ulëta, sot jemi të gëzuar, jemi krenarë që Shqipëria edhe formalisht është vend i NATO-s, e do të konsakrohet pikërisht më 3 prill, kur të gjitha vendet partnere që e kanë ndihmuar Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme, do ta bëjnë atë në mënyrë solemne”, theksoi Topi. Më pas Presidenti deklaroi se “e informova homologun për reforma ekstensive, por edhe intensive, pra reforma në të gjitha fushat por në mënyrë intensive në disa drejtime shumë të rëndësishme. Të gjitha në funksion të forcimit të shtetit ligjor. E njoftova për reformën në drejtësi dhe njëkohësisht e informova për situatën që ne kemi përpara për zgjedhjet e përgjithshme politike”. “Momenti më i rëndësishëm i këtij konsensusi të gjerë politik ishte për herë të parë realizimi në kohë i një ligji për zgjedhjet, i cili së bashku me ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore, por edhe me detyrimin e premtimin e dhënë nga qeveria, për realizimin e listës së zgjedhësve dhe të dokumenteve të identitetit, do të bënin që në mënyrë definitive Shqipëria të dalë nga tranzicioni, që zgjedhjet të jenë në klimë të qetë, të jenë të lira, të ndershme, demokratike dhe mbi të gjitha të jenë zgjedhje të pranuara, për të dhënë mundësinë që Shqipëria të ecë duke u përmirësuar në fushën e reformave dhe në rrugën e integrimit”, deklaroi Topi.