Ngjela: Synimi i PLiDr, zbatimi i ligjit
Avokat Spartak Ngjela zyrtarizon krijimin e Partisë Ligj dhe Drejtësi, e cila do të jetë pjesë e Polit të Lirisë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në konferencën e parë për shtyp pas regjistrimit në Gjykatën e Tiranës, ish-deputeti i PD-së tha se zbatimi i ligjit do të jetë një ndër prioritetet e kësaj partie. “Në Shqipëri sot funksionon vetëm 17 për qind e zbatimit të ligjit. Ne mendojmë se kemi kapur kontradiktat thelbësore e një ndër to është mosrespektimi i ligjit”, u shpreh Ngjela. Programi i paraqitur prej dyshes më të lartë drejtuese të partisë, Ngjela- Bakalli e pozicion partinë për Ligj dhe Drejtësi, si një parti e qendrës së djathtë. “Ish të përndjekurit e ish-pronarët janë mbështetësit tanë natyrale, por edhe ajo kategori që politika i ka mbajtur larg kutive të votimit do të orientohet drejt nesh”, u shpreh Bakalli. Avokat Ngjela, i burgosur politik, i pyetur mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit të Dosjeve, theksoi se: “Ne jemi parti e ligjit dhe drejtësisë dhe nuk pranojmë shkeljen e Kushtetutës. Ne respektojmë institucionet nëse ato e zbatojnë ligjin”, u shpreh Ngjela. Për sa i përket aleancave para zgjedhore, Ngjela theksoi se është rënë parimisht dakord me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës dhe LZHK-në e Dashamir Shehit, ndërkohë që detajet do të vendosen në ditët në vazhdim. Sipas Ngjelës ajo që ka më shumë rëndësi është se Partia për Ligj dhe Drejtësi u ofron shqiptarëve pikërisht atë që u mungon, zbatimin e ligjit në një shtet demokratik.