Dosjet, BE: Qeveria të reflektojë
Bashkimi Evropian e sheh miratimin e njëanshëm të ligjit të Dosjeve nga Kuvendi i Shqipërisë, si pjesë e mos zbatimit të kërkesës së Evropës për bashkëpunim ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Në prononcim ekskluziv për radio “Dojçe Vele”, zëdhënësja e Oli Rehn, Nagi thekson se “Për BE ligji i ri i Lustracionit, i sapohyrë në fuqi, përbën një argument të freskët për moszbatimin e këtij kriteri”. Ligji në fjalë është miratuar vetëm me votën e maxhorancës së djathtë dhe palët dështuan të ndërtonin një konsensus të gjerë politik për këtë ligj, të kërkuar nga BE dhe faktori ndërkombëtar. “BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të Lustracionit pas bisedimeve, që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës. BE është i prirur t’i shohë këto bisedime në një dritë pozitive. Pa ditur rezultatin e këtyre bisedimeve nuk mund të flitet nëse shqetësimet e BE për ligjin e Lustracionit do të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”, deklaroi Nagi. Opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin e “Lustracionit” dhe refuzon prerë të ketë përfaqësuesit e saj në komisionin për pastërtinë e figurave, duke rrezikuar që ai të përbëhet vetëm nga përfaqësues të maxhorancës. Në një situatë te tillë, Kristina Nogi deklaron se “funksionimi i dialogut politik është i një rëndësie të dorës së parë për BE”. Në bisedimet e pritshme mes BE dhe qeverisë së Tiranës për ligjin e Lustracionit, një nga çështjet që do të bëhet objekt diskutimesh, është edhe ajo e cenimit që ky ligj i bën pavarësisë së sistemit gjyqësor nga politika. “Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht”, tha Kristina Nogi. Deklarata e saj vjen pas dorëheqjes së një prokurori në Tiranë, që deri dje drejtonte grupin hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Opozita në Tiranë konsideron se Zamir Shtylla dha dorëheqjen si pasojë e presionit politik, që bën ligji i ri i Lustracionit mbi prokurorë, që po hetojnë çështje të rëndësishme, ku akuzohen për korrupsion zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Sepse ky ligj përfshin në procesin e pastrimit të figurave edhe ata prokurorë dhe gjykatës profesionistë, që kanë punuar në organet e drejtësisë edhe gjatë regjimit të kaluar, siç është rasti i prokurorit të dorëhequr të dosjes së Gërdecit, Zamir Shtylla. Mesazhi i BE përmes zëdhënëses Kristina Nogi është i qartë: “Qeveria e Tiranës duhet të reflektojë shqetësimet e BE për të plotësuar ato, që ky Bashkim i konsideron kushte të domosdoshme“ për progres drejt anëtarësimit. Reflektimi sugjerohet kur qeveria e Tiranës kërkon të bëjë një hap domethënës: të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat me BE”.
“Rrëzimi i bustit të Hoxhës, dita e demokracisë”
Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve, të komunizmit në Shqipëri”. Në këtë nismë qeveria kërkon të shpallë datën 20 shkurt 1991, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, si “Ditë të përkujtimit publik”, të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri. Gjithashtu do ngrihet “Obelisku i Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit”. Në këtë projektligj parashikohet edhe krijimi i “Muzeut Kombëtar të Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”. Ndërsa obelisku pritet të ngrihet pikërisht para Bankës Qendrore, në vendin që dikur ka qenë i ngritur busti i diktatorit Hoxha.