E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kemi program konkret antikrizë

 

Aristir Lumezi

Në një sallë të tejmbushur në Pallatin e Kongreseve, LSI zhvilloi një takim të hapur me qytetarët e Tiranës. Në të njëjtën sallë ku pak ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës mblodhi punonjësit e minibashkive dhe Bashkisë së Tiranës dhe u kërkoi atyre më shumë mobilizim dhe përgjegjshmëri në punë për shkak të mosmiratimit të buxhetit. LSI paraqiti dje argumentet pse nuk votoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës, duke sjellë fakte dhe shifra për investime të munguara dhe parashikime të padetajuara. Përmes videoprojeksionit, në ekranin e madh u shfaqën rrugë të përmbytura, qytetarë që dëshmonin për premtime të dhëna dhe investime të pakryera.
Programi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij dha garancinë se forca që ai drejton do të ketë shumë shpejt një program antikrizë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. “Ne kemi sot më shumë se më parë përgjegjësinë historike dhe atdhetare që t’u kthejmë të gjithë shqiptarëve të thjeshtë besimin te forca, tek aftësitë dhe tek energjitë e tyre. Ndaj ne po punojmë për një program konkret, antikrizë, por edhe zhvillues dhe integrues, që mposht varfërinë dhe stimulon sipërmarrjen dhe zhvillimin”, tha Meta. Duke prekur marrëdhëniet e këshilltarëve të LSI-së me bashkinë dhe buxhetin e saj për vitin 2009, Meta tha se LSI nuk ka hequr dorë nga dialogu me kreun e Bashkisë Tiranë. “Opozita e LSI-së gjatë këtyre katër viteve ka qenë jo vetëm parimore e konstruktive, por edhe shumë konkrete dhe aktive në drejtim të forcimit të dimensionit social të shtetit.
Po me të njëjtën përgjegjshmëri dhe konstruktivitet, duke qenë i preokupuar për mbarëvajtjen e punëve në qytetin dhe kryeqytetin tonë, Tirana, do t’u kërkoja këshilltarëve të LSI-së që të mos i rreshtin përpjekjet e tyre për dialog konstruktiv me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe grupet e tjera të këshilltarëve, për të reflektuar shqetësimet mbi problemet që përmban projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, si dhe do ta ftoja kryetarin e bashkisë, për të cilin i kemi kërkuar votat e qytetarëve të Tiranës, që të respektojë ligjin, të respektojë Këshillin Bashkiak dhe të bëjë transparencën e duhur për destinacionin e taksave që paguani dhe ju dhe të gjithë qytetarët e Tiranës, dhe të mos e politizojë në mënyrë absurde këtë çështje, duke dëmtuar interesat e qytetarëve”, tha Meta. Kreu i LSI-së i cilësoi deklaratat e Bashkisë së Tiranës ndaj buxhetit si përralla. “Mungesën e deritanishme të transparencës për destinacionin e parave të taksapaguesve të kryeqytetit, ai nuk mund ta fshehë me akuza të rëndomta për gjoja bashkëpunim Meta–Berisha kundër qytetit të Tiranës?! Kjo është një përrallë, e cila vërtet është për të ardhur keq që vjen nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili e di më mirë se kushdo tjetër se cilat janë kontributet e mia për t’i ndryshuar faqen kryeqytetit në vitin 2000 dhe 2001”, tha Meta.

Kryemadhi: BERZH i dha kredi bashkisë, asnjë metër punë

Kryetarja e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Monika Kryemadhi, solli dje para të pranishmëve arsyet pse nuk është votuar buxheti i bashkisë për vitin 2009. Sipas saj, në këtë buxhet ka shumë mangësi dhe asnjë analizë për investimet e parashikuara dhe se në ç’fazë ndodhen ato. Sipas Kryemadhit, BERZH i ka dhënë kredi Bashkisë së Tiranës për Unazën e Madhe. Bashkia, sipas saj, paguan këstet mujore të kësaj kredie me taksat e qytetarëve, ndërsa nuk është bërë asnjë metër rrugë. Kryemadhi tha se shpenzimet e Bashkisë së Tiranës janë më të mëdha se të gjitha minibashkitë të marra së bashku. “Shpenzimet e administratës së bashkisë janë më shumë se 31.6 milionë dhe shpenzimet e të gjithë minibashkive dhe gjithë qytetarëve të Tiranës janë 30.6. Pra të nderuar qytetarë, kostoja e Bashkisë së Tiranës është më e madhe se e të gjithë qytetarëve të Tiranës”, tha Kryemadhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›