Xhafaj: U shkelën 28 nene të Kushtetutës, s’ka konflikt interesi
Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, dorëzoi dje në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve”. “Dorëzuam sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën ankimore lidhur me anti-kushtetutshmërinë e ligjit për ‘Pastërtinë e figurave’. Shpresojmë që gjykata ta marrë shumë shpejt në shqyrtim, së pari të vendosë pezullimin e këtij ligji me pasoja të mëdha ligjore, politike, sociale dhe, njëkohësisht të vendosë për shqyrtimin në themel, ku mbetet në vendimmarrjen e gjykatës, shqyrtimi dhe vendimmarrja e saj”, tha Xhafaj. Sekretari socialist i kërkoi maxhorancës të mos ngrejë Autoritetin e Kontrollit të Figurës deri në dhënien e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. “Kontestohet për aspektet antikushtetuese të tij dhe dëshiroj t’ju them se në këtë ligj janë shkelur jo pak, por si në asnjë rast tjetër të paktën 28 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është shkelja më flagrante që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë tonë 18-vjeçare”, tha Xhafaj. Duke i dhënë përgjigje pretendimit të maxhorancës për konfliktin e interesit që ka Gjykata Kushtetues në shqyrtimin e këtij ligji, Xhafaj risolli në vëmendje dhe çështje të tjera të shqyrtuara prej saj. Kemi argumentuar në kërkesë se është në detyrimin kushtetues të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të marrin pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje. Çdo largim nga gjykimi i kësaj çështjeje është me pasoja për gjyqtarin kushtetues. Njëkohësisht më duhet të them, edhe në kujtesë të të gjithë atyre që e kanë trajtuar politikisht me shumë pasion e me shumë zell, se detyrimi për ta gjykuar buron nga vetë Kushtetuta, nga vetë ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, por është edhe në precedentët e Gjykatës Kushtetuese”, tha Xhafaj.