E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon të vrasë kushëririn,ekzekutohet me armën e tij

 

FUSHE-KRUJE

Shkon të vrasë, por mbetet viktimë e armëve që mbante me vete. Indrit Çela, 28 vjeç u qëllua për vdekje paraditen e djeshme, në fshatin Arameras të Fushë-Krujës, nga kushëriri i tij 21-vjeçar, Lulzim Çela. Burime nga policia e qytetit bënë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali, në hyrje të qytetit. Mësohet se viktima kishte shkuar i armatosur me kallashnikov dhe dy granata në xhepa, në vendin ku ndodhej 21-vjeçari. Ai ka hyrë brenda me armë, duke i kërcënuar klientët, që asnjë të mos lëvizte se nuk kishte punë me ta, por vetëm me Lulzimin. Duke i mbajtur armën të drejtuar ai e ka nxjerrë Lulzimin nga lokali i mbushur me njerëz. Por, sapo kanë dalë jashtë, Lulzim Çela ka mundur t'i tërheqë armën nga dora. I ndjerë i rrezikuar Indrit Çela ka nxjerrë nga xhepi një granatë, por pa arritur t'ia hedhë kushëririt, pasi ky i fundit e qëllon me 3 plumba kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në vend. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash. Pas shkrehjes së armës së zjarrit, atentatori është larguar me shpejtësi, për të mos rënë në duart e policisë. Forcat e policisë së Fushë-Krujës, Krujës e Durrësit arritën me shpejtësi në vendngjarje, duke e arrestuar 21-vjeçarin brenda një kohe të shkurtër e bllokuar armën e krimit. Lulzim Çela ka qenë në gjendje të tronditur disa orë pas arrestimit, derisa më vonë ka shpjeguar se vrasjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi do të ishte vetë viktimë. Ai bashkë me viktimën jetonin në të njëjtin fshat dhe ishin kushërinj të largët mes tyre. Vetë ai nuk ka rrëfyer shkaqet pse Indrit Çela kishte planifikuar ta vriste. Hetimet e kryera nga policia kanë zbardhur se ngjarja e rëndë mund të ketë pasur si shkak ngacmimet, që Lulzim Çela i kishte bërë një kushërirës së viktimës. Kjo pistë është ende e dyshuar, pasi autori nuk ka mundur të bëjë një rrëfim të plotë për konfliktin me 28-vjeçarin. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe familjarë të dy djemve për të mësuar mbi marrëdhëniet e tyre para se të ndodhte krimi.               o.u/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›