E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e madhe, Olldashi: Rama gënjeu

 

Unaza e madhe e Tiranës është bërë objekt debati mes Ministrisë së Punëve Publike dhe Bashkisë së Tiranës. Kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Sokol Olldashi ka reaguar dje mbi deklaratën e bërë dy ditë më parë nga Kryebashkiaku Rama mbi ndërtimin e Unazës së Madhe. Sipas Olldashit, Kryebashkiaku i Tiranës ka gënjyer mbi çështjen e shpronësimeve të Unazës së Madhe. "Prej shumë kohësh qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të përballuar shpenzimet e shpronësimeve për Unazën e Tiranës, duke qenë se vlera e shpronësimeve është një vlerë e madhe që do të rëndonte buxhetin e Bashkisë. Pra me gjithë dashamirësinë për të lehtësuar buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, ne kemi marrë përsipër që këtë kosto ta paguajë qeveria" ka deklaruar ai. Sipas Olldashit, ministria që ai drejton dhe Bashkia e Tiranës kanë bashkëpunuar për procesin e shpronësimeve. "Një bashkëpunim që nga pala jonë, pra nga ana e MPPTT, mund të konsiderohet i ezauruar. Që do të thotë kemi marrë nga bashkia kërkesën për shpronësim dhe në qershor të vitit 2008 kjo kërkesë zyrtarisht është miratuar nga MPPTT dhe jo vetëm që është miratuar por ministria ka bërë edhe publikimin" ka thënë ministri. Pra ministria ka publikuar emrat e të gjithë pronarëve që duhet të shpronësohen në segmentin ku duhet të kalojë Unaza e Re e Tiranës. Pra nga momenti kur janë miratuar shpronësimet dhe është bërë shpallja publike e emrave të pronarëve që shpronësohen, si rezultat i ndërtimit të Unazës, procesi nga ana e MPPTT është i kryer dhe mbetet vetëm për kalimin nga ana e Vendimit të Këshillit të Ministrave për të bërë pagesën e këtyre pronarëve. "Ne kemi patur në buxhetin shtesë, që ka pasur MPPTT në mesin e vitit të kaluar, shumën prej 2 miliardë lekësh të reja për të qenë kryesisht të destinuara për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës, vlera e të cilit shkon 1.2 miliardë lekë dhe këto lekë na është dashur t'i rialokojmë në fund të vitit te kapitulli i investimeve, për shkak se nuk u përdorën dot, nuk u përdorën dot për një arsye shumë të thjeshtë që qëndron në themel të bllokimit të këtij projekti" tha Olldashi. Madje, në deklaratën e tij, ai ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ende nuk ka të siguruara fondet për ndërtimin e unazës. Sipas Olldashit, bashkia ka qenë në kontakte të vazhdueshme me BERZH, për të marrë nga kjo bankë një kredi për ndërtimin e unazës, për shkak të mungesës së aftësive paguese të bashkisë, kredi kjo që ende nuk është konkretizuar as sot e kësaj dite. Në një situatë të tillë, Olldashi ka deklaruar se qeveria është e gatshme të marrë përsipër jo vetëm shpronësimet por të sigurojë edhe fondet e nevojshme që duhen për ndërtimit e unazës së madhe të Tiranës.

Shalsi: Gati projekti i Unazës së Madhe

"Bashkia e Tiranës ka gati projektin e Unazës së Madhe dhe ka marrë miratimin paraprak të kredisë nga Banka Evropiane, për Rindërtim e Zhvillim dhe të Këshillit Bashkiak", reagoi dy ditë më parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. Kjo, pas deklaratës së kryeministrit se qeveria do të ndërtojë vetë këtë segment. "Në rast se edhe me Unazën e Madhe, kryeministri i vitit të vjetër do bëjë politikën e Zogut të Zi, kjo është thjesht një arsye më shumë, në malin e arsyeve të humbjes së sigurt, që e pret vetëm gjashtë muaj nga sot", tha Shalësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›