E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet e reja bllokojnë shtetin

Shteti bllokon të gjitha shërbimet për qytetarët që nuk kanë pasaporta udhëtimi dhe nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftimet e reja. Gjykatat, prokuroritë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk ofrojnë asnjë shërbim për ata persona që nuk tregojnë numrin personal, që ndodhet në pasaportat e udhëtimit, apo numrin serial të kuponit të letërnjoftimit të ri.

Gazeta "Shqip" ka shtënë në dorë një kopje të një urdhri të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që ndalon gjykatat të kryejnë veprime për personat që nuk kanë pasaportë apo nuk kanë aplikuar për pajisje me kartë identiteti. Zbatimi i urdhrit ka filluar që nga data 1 shkurt 2009 në të gjithë vendin, ndërkohë që procesi i aplikimit për kartat e identitetit ka filluar vetëm në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Certifikatat apo letërnjoftimet e vjetra nuk shërbejnë më si mjete identifikimi në gjykata dhe në asnjë zyrë tjetër të shtetit, nëse qytetari nuk paraqet një pasaportë udhëtimi të vlefshme apo kuponin e aplikimit për letërnjoftimin e ri. Sipas urdhrit të ministrit Alibeaj, në rast se nga ana e gjykatës lëshohen vërtetime për shtetasit që nuk kanë pasaportë dhe nuk kanë aplikuar për kartë, parashikohen ndëshkime me gjoba deri në shkarkimin nga detyra të punonjësit.

Durrës

Urdhri i ministrit ka shkaktuar pështjellim në Gjykatën e Durrësit, që është një nga më të mëdhatë në vend. Që nga data 5 shkurt aty është bllokuar kryerja e çdo veprimi administrativ pa paraqitjen e pasaportës për udhëtime jashtë vendit. Në një njoftim të sajin zyrtar, kryesekretarja e Gjykatës së Durrësit bën të ditur se për çdo veprim të kryer bëhet i domosdoshëm regjistrimi i numrit personal të shtetasve, numër i cili gjendet vetëm në pasaporta dhe në kartat e reja të identitetit, që në Durrës nuk kanë nisur të shpërndahen ende. E njëjta situatë është dhe në Prokurorinë e Durrësit dhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në Hipotekë veprimet për shkak të mungesës së pasaportës u janë ndërprerë qytetarëve që nga data 1 shkurt. E njëjtë paraqitet gjendja dhe në institucione të tjera ku shtetasve nuk u ofrohet shërbimi pa paraqitur dokumentin. "Duhet patjetër pasaporta 10-vjeçare ose fotokopje të mandatit të aplikimit për letërnjoftimet elektronike", thotë sekretarja e Hipotekës në Durrës, ndërkohë që procesi i aplikimit në këtë rajon ka nisur vetëm dje. Në Gjykatë, tërheqja e vërtetimeve, vendimeve apo e çdolloj dokumenti tjetër bëhet kundrejt paraqitjes së pasaportës, ndërsa fotokopjoja e mandatit të aplikimit nuk njihet. Edhe avokatët duhet të paraqesin këtë dokument për të tërhequr vendimet gjyqësore. Në sportelin e kryesekretarisë në Durrës situata duket e nderë. Dikush kërkon të ankimojë një vendim gjyqësor, po mungesa e pasaportës e bën të pamundur kryerjen e veprimit. Ndërkohë, koha në dispozicion për nxjerrjen e pasaportës së re dhe afatit të ankimimit nuk përputhen. Ajo është krejtësisht e pamjaftueshme, duke bërë që të kalojë afati që i lihet palës së interesuar për ankimim të vendimit të dhënë.

Korçë

Sipas kancelarit të Gjykatës së Korçës, Shkëlqim Kajmaku, duhet që edhe për kërkesëpaditë e dorëzuara në gjykatë përpara këtij urdhri, numrat e aplikimit në formular ose numri i identitetit të shtetasit të shënohen në seancë gjyqësore, pasi në rast të kundërt shtetasi nuk mund ta tërheqë vendimin e gjykatës. "Kjo procedurë ndiqet me qëllim që të gjithë shtetasit të pajisen me kartat e identitetit dhe të parët normalisht janë ata të cilët nuk disponojnë asnjë dokument. Nga shërbimet nuk përjashtohen personat që kanë pasaporta dhjetëvjeçare dhe që drejtojnë kërkesat për vërtetime dhe akte të tjera, por duhet që bashkë me këto kërkesa të shënohet numri i identifikimit ose ai i aplikimit në formularin për pajisjen me kartën e re. Këto janë kushtëzime për të kryer pajisjen e të gjithë personave", ka thënë ai.

Procesi

Filloi me Tiranën dhe Elbasanin

Nis aplikimi për

letërnjoftime

edhe në Durrës

Nis edhe në Durrës procesi i aplikimit të qytetarëve për pajisjen me letërnjoftimet elektronike. Dje, në ditën e parë të këtij procesi janë tërhequr rreth 400 kuponë aplikimesh në të 15 sportelet e çelura në 6 zyra postare. Informacioni është dhënë për "Shqip" nga drejtori i filialit të Postës në Durrës, Ismail Dervishi. Rreth 15 mijë kuponë aplikimi janë vënë në dispozicion të qytetarëve. Procesi ka nisur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme dhe punonjësit postarë raportojnë për një interesim të qytetarëve, ndërkohë që ka pasur paqartësi për sa i përket vlerës së kuponit të aplikimit. Shumë qytetarë kanë kërkuar sqarime lidhur me kategoritë që përfitojnë ulje të vlerës prej 1200 lekësh, po kanë marrë përgjigjen se tarifa është e pandryshueshme për çdo individ që aplikon për letërnjoftim. Vlerat e reduktuara, sipas drejtorit Dervishi do të aplikohen vetëm për pajisjen me pasaporta biometrike të kategorive sociale të përcaktuara për përfitim. Gjithashtu, bëhet e ditur se në dispozicion të filialit të Durrësit janë vendosur rreth 130 mijë kuponë aplikimi dhe duket se procesi do të jetë i mbarë të paktën në fazën e blerjes së kuponit pranë sporteleve postare. Procesi i aplikimit të qytetarëve me letërnjoftimet elektronike nisi në Tiranë më 12 janar, për të vazhduar më pas në Elbasan dhe nga dje dhe në Durrës. Procesi konsiderohet i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të këtij viti, po njësitë vendore shprehin rezerva për mbylljen në kohë të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›