LSI, Vasili: Miratimi i ligjit për interesa partiake
Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi të nxituar miratimin në Kuvend dy ditë më parë të ligjit për "Pastërtinë e figurave politike dhe zyrtare". Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se kjo parti e ka parë me shqetësim mënyrën se si u miratua në Kuvend ky ligj, ndërsa mbështeti deklaratën e Komisionit Evropian, për mënyrën se si qeveria miratoi këtë ligj. "Kam përcjellë me shumë kujdes, në mënyrë të veçantë prononcimin më të fundit të zotit Devis nga Komisioni Evropian, i cili bënte thirrje që të mos ketë nxitim në miratimin e nismave ligjore. Sigurisht që, nxitimi, arroganca klienteliste dhe vënia e interesave partiake të ngushta mbi interesat e vendit, të shoqëruara me një "nxitim" të madh parlamentar abuziv, ka qenë karakteristikë që me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat u bënë me një nxitim të patreguar, shumë më të madh se sa ky i sotmi, në tre orë", tha Vasili. Sipas tij, "po i njëjti nxitim ka karakterizuar dhe miratimin e Kodit Elektoral. Ju e mbani mend se e keni përcjellë po vetë, që vetëm 24 orë përpara u vu në dispozicion të deputetëve një Kod me shumë nene, të cilët nuk patën as kohën fizike në dorë për ta shqyrtuar. Pra, ky lloj nxitim ka prodhuar pasoja shumë të rënda, ku pasoja e fundit e radhës ishte ligji për pastërtinë e figurës ose i njohur si ligji i spiunëve".