E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", Berisha kërkon konsensus për një ligj të ri

Kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer për ndërkombëtarët të vërtetën e krimeve të komunizmit dhe përplasjet më të fundit politike për ligjin e lustracionit. "Me ligjin e lustracionit qeveria kishte si synim të ndahej nga e shkuara, dhe e vërteta është se ka ngjallur kundërshtime dhe kritika për të cilat unë jam i vetëdijshëm", tha Berisha. Deklaratat e Kryeministrit erdhën në konferencën me temë "Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri", organizuar nga fondacioni "Konrad Adenauer" në Gjermani. Kreu i Ekzekutivit theksoi bindjen e tij për të gjetur një mënyrë të qytetëruar pajtimi për bërjen e një ligji të tillë, i cili konsiderohet i domosdoshëm për Shqipërinë. "Por unë jam i bindur se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi, sepse kryegjykatësi që dënoi me varje poetin sërish deri para tre vitesh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në mes të qytetit të lidhur me tela me gjemba të trupave të rinj, deri para një muaji vazhdonte kryehetues i vendit", tha ai. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shtoi se "pavarësia e sistemit gjyqësor është jetike dhe vendimtare për sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga krimet kundër njerëzimit". Sipas tij, "regjimi komunist në Shqipëri ishte regjimi më mizor, ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 11 mijë qytetarë shqiptarë, ekzekutoi në tërësi të gjithë inteligjencën perëndimore të Shqipërisë, udhëheqjen e besimeve fetare, mijëra e mijëra të tjerë intelektualë, burra dhe gra", theksoi Berisha. Duke bërë një bilanc, ai shtoi se mbi 40 mijë shqiptarë përjetuan në kampet e përqendrimit gulakët më të rënda, ose u dëbuan nga vendbanimet e tyre, por nuk ishin burgjet kampet apo ekzekutimet me gjyq dhe pa gjyq që përbënin numrin më të madh të viktimave. "25 vitet e fundit vendi jetonte me triska për racionet ushqimore dhe 40% e popullatës nuk merrte asgjë tjetër përveç bukës së misrit, një kg vaj, një kg sheqer dhe kripë", shtoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›