E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Shteti të japë karta falas

Kryetari i lëvizjes G99 zhvilloi dje takime me banorët e zonës së Bathores. Në qendër të bisedës së Veliajt dhe banorëve ka qenë pajisja me karta identiteti, ku ata janë shprehur se kartat janë shtrenjtë dhe me të ardhurat e tyre nuk i përballojnë dot. Sipas Veliajt, shqiptarët e varfër që numërohen në mbi 700000 në Shqipëri, rrezikojnë të humbasin të drejtën e tyre kushtetuese të votës, pasi nuk mund të përballojnë marrjen e kartave të identitetit me të ardhurat që kanë. Kreu i G99 vizitoi dje dy familje të thjeshta në Bathore, duke u njohur më nga afër me hallet dhe shqetësimet e tyre. Pas vizitës në këto dy familje, Veliaj, në emër të G99, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të konsiderojë seriozisht rastin e familjeve të tilla që nuk kanë të ardhura të paguajnë 10 euro për një kartë identiteti për secilin anëtar në moshë madhore. Sipas tij, Kryeministri po shkel Kushtetutën. "Ne nuk duam të jetojmë në një vend ku vetëm të kamurit i marrin vendimet. Duam të jetojmë në një vend ku të paktën një herë në katër vjet jemi të gjithë të barabartë", u shpreh Veliaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›