E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në Kuvend kërkesa e prokurorisë për Neranxin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, informoi dje deputetët se në Kuvend ka mbërritur kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për të hequr imunitetin e deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Ajo theksoi se Rregullorja e Kuvendit parashikon shqyrtimin e kërkesës nga Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, që më pas harton një raport që ia përcjell Parlamentit për votim. Pas kësaj ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai theksoi se ky veprim i Kryeprokurores nuk ishte i papritur për ta, pasi sulmi ndaj deputetit Neranxi ka kohë që ka nisur. Sipas Xhufit, deputeti Neranxi është vënë në qendër të sulmeve menjëherë pasi ai mori vendimin për largimin e tij nga PAA-ja drejt LSI-së. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është bërë publike më 13 mars. Prokuroria e akuzon deputetin Neranxi për kontrabandë mallrash, pas padisë së bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Dëmi që dyshohet të ketë shkaktuar Neranxi me kompaninë e tij është mbi 13 milionë lekë të reja. Prokuroria i ka kërkuar Kuvendit leje për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit të LSI-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›